Nuk ndryshon kreu i renditjes

Skuadra durrsake nuk ka mundur të përfitojë nga hapi i gabuar që bëri rivali i saj kryesor për titull, Tirana, e cila nuk mundi të marrë më shumë se një barazim. Durrsakët u ndalën në takimin e fundit për vitin 2011 brenda në fushën e tyre nga ekipi i Kastriotit. Në takimin e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” Teuta edhe pas ka kaluar e para në avantazh me anë të Pepës nuk ka mundur ta mbrojë rezultatin, pasi krutanët barazuan në minutën e 67 të takimit me anë të mesfushorit Turdiu, rezultat ky, që qëndroi i vlefshëm deri në fund të takimit. Pjesa e parë ka folur më tepër për vendasit, të cilët përveçse gjetën shumë shpejt rrugën e rrjetës, dominuan pothuajse 45 minutat. Durrsakët patën disa raste për të dyfishuar rezultatin, por nuk i kanë shfrytëzuar siç duhet rastet e krijuara. Një ndër rastet më të mira që vlenë për t’u përmendur është ai i minutës së 26, kur pas një pasimi të marrë nga Pepa, mesfushori organizator, Tahiri, nuk ka mundur ta finalizojë atë.

Vetëm disa minuta më vonë kanë qenë sërish vendasit që janë shfaqur rrezikshëm përpara portierit Halili, por nuk do të ndryshonte gjë. Pas këtij rasti, do të vinte vërshëllima e gjyqtarit ndërkombëtar, Lorenc Jemini, i cili do të sinjalizonte edhe përfundimin e pjesës së parë. Pjesa e dytë ka nisur më mirë për miqtë e ardhur nga Kruja. Pa kaluar as dy minuta lojë, krutanët u shfaqën rrezikshëm përpara portierit Rizvani, i cili u kthye në një hero pas shpëtimit të portës nga një gol i sigurtë. Ndërkohë që minutat kalonin njëra pas tjetrës, krutanët shtonin presionin ndaj vendasve dhe shumë shpejt do të vinte dhe goli. Pas një rrëmuje dhe një rreshtimi jo të mirë të mbrojtjes së Teutës, krutanët përfituan dhe pas një goditje me të djathtën, Turdiu, dërgon topin në rrjetë duke barazuar kështu rezultatin, i cili do të ishte ai përfundimtar. Trajnerët respektivë në përfundim të ndeshjes janë shprehur se ishin të kënaqur me rezultatin.

Hasan Lika, trajner i Teutës

Duhet të vazhdojmë rrugën që kemi nisur, atë drejt titullit kampion. Nuk dua që të them se jam i kënaqur me rezultatin, por dhimbjen e thyen pak hapi i gabuar i rivales tonë, Tiranës. Mund të kishim fituar, por edhe mund të kishim humbur, pasi rezultati mund të kishte ndryshuar në të dy krahët. Pjesën e parë ekipi ynë ishte më mirë se kundërshtari, kjo u pa edhe me lojë edhe me rezultat. Madje i kishim të gjitha mundësitë që të dyfishonim rezultatin, por nuk i shfrytëzuam siç duhet rastet e krijuara. Dua të them se edhe kundërshtarët krijuan disa rast për gol, por për fatin tonë të mirë topi nuk është futur brenda në portë. Prandaj them se jam i kënaqur me rezultatin, sepse edhe mund të kishim humbur. Megjithatë kampionati është i gjatë dhe duhet të mendojmë për ndeshjen e ardhshme.

Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit

Mund të kishim marrë edhe më shumë nga ky takim, por jam i kënaqur edhe me një pikë, sepse atë ia kemi marrë ekipit më të mirë të kampionatit, në këto javë të para. Ekipi durrsak është një ekip që mbrohet mirë, prandaj edhe rastet e krijuara nga ana e lojtarëve të mi nuk u shfrytëzuan ashtu siç duhet. Ne luajtëm më mirë pjesën e dytë, të paktën deri në shënimit të golit. Më pas urdhërova lojtarët që të ktheheshin në mbrojtje, pasi nuk mund të luhej për fitore kundër një ekipi si Teuta, e cila minutat e fundit u egërsua, ndërsa kërkonte golin e fitores. Jam i kënaqur edhe për faktin që ekipi i Kastriotit ka arritur që t’i shënojë golin e parë në histori Teutës.