Teuta fitoi 1-0 ndaj Dinamos dhe i dha fund serisë prej humbjesh radhazi. Po përtej rezultatit, kjo ndeshje kishte dhe shumë momente te veçanta.Ja disa nga momentet më pikante të sfidës mes Teutës dhe Dinamos.

– “Elbasan Arena” është shtëpia e të dyja skuadrave, sepse si Teuta dhe Dinamo këtë sezon kanë zgjedhur këtë stadium si pritës. Në këtë ndeshje, ekipi pritës ishte Teuta.

– Renato Arapi preferon që ta ndjekë nga afër stërvitjen e ekipit të tij para nisjes së ndeshjes, ndryshe nga Bledar Devolli i cili qëndroi në pankinë dhe me këtë pjesë merreshin ndihmësit e tij.

– Para fillimit të ndeshjes, një nga arbitrat bën kontrollin e teknologjisë VAR, pasi afrohet pranë monitorit të vendosur në stadium. Megjithatë, deri në fund nuk u pa nevoja për ta përdorur atë, ndonëse Dinamo pretendoi për 11-metërsh në një moment.

– Duke parë që interesimi kur luan Dinamo dhe Teuta ka qenë shumë i ulët në ndeshjet e kaluara, dje kishte diçka më shumë prezencë të tyre se zakonisht. Bëhej fjalë për afërsisht 200 sportdashës. Nuk kanë munguar as batutat e tyre. “Çne sot që paska më shumë tifozë, se nuk jemi mësuar kështu”, ia behën ata.

– Barazimi i Milanit ndaj Salernitanës nuk ka kaluar pa batuta nga tifozë të ndryshëm me personazhin Tan Mezja, i njohur si tifoz i Milanit. “Hë mo, ç’pati Milani, nuk keni turp”, ia behën ata. “Do shohim Interin”, ia ktheu Mezja.

– Në tribunë nuk mungoi as ishtrajneri i këtyre dy skuadrave, Bledi Shkëmbi. Vetëm para pak ditësh ai u largua edhe nga drejtimi i Dinamos, për t’ia lënë vendin Devollit. I pranishëm ishte edhe ish-tekniku i Partizanit dhe Kukësit, Skënder Gega.

– Tifozët dinamovitë kanë shumë ankesa për trajnerin, duke kërkuar futjen në lojë të Rexhinaldos, pa e ditur ndoshta që ai nuk ishte as në pankinë. “Futeni mo atë Rexhinaldon, për çfarë e morët”, ia behu njëri prej tyre.

– Eni Imami nervozohet me dikë nga stafi i Dinamos, të cilit nuk i pëlqeu vendimi që mbrojtësi mori për t’ua kthyer topin durrsakëve në shenjë “Fair Play”. “Do pushosh ti tani, apo jo”, i bërtiti Imami.