23 maj 2015 – Ndërkohë që futbolli i luajtur uli siparin, tashmë "topi" kalon nga fusha e blertë në presidencat e skuadrave. Drejtuesit dhe teknikët respektivë në bashkëpunim me njëri-tjetrin do të ndërtojnë skuadrat, për sezonin 2015-2016.
Si të gjitha skuadrat e tjera edhe Teuta do të rindërtohet për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit durrsak do të nisin nga puna për të ndërtuar një skuadër kompetitive dhe konkuruese për të dy frontet sezonin e ri. Ndoshta ditët në vijim, presidenti i Teutës dhe bordi drejtues do të nisin nga puna për përforcimin e skuadrës. Në kampin durrsak flitet se sezonin e ardhshëm do të ndërtohet një skuadër me prespektivë dhe konkuruese për të dy frontet: kampionat dhe kupë. Pritet që disa prej lojtarëve aktualë të skuadrës durrsake nuk do të jenë pjesë e saj sezonin e ardhshëm. Ende nuk është bërë selektimi, por ka shumë të ngjarë që për disa prej tyre përballja me Tiranën ka qenë e fundit me fanelën e Teutës.
Skuadra e Teutës thuajse ka marë pushimet dhe me shumë gjasa riformatimi i ekipit do të nis nga fundi i muajit të ardhshëm. Sikurse u pa edhe në përballjen e fundit të kampionatit, tekniku Begeja kishte aktivizuar shumë lojtarë të rinj, të cilët me shumë gjasa do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Për Teutën kampionati u mbyll me fitoren në shtëpi me Apoloninë, e cila i mundësoi mbijetesën.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/