Ekipi i Teutës në basketboll për meshkuj ka korrur sot në mbrëmje fitoren e tretë radhazi në Ligën Ballkanike (BIBL), duke mundur 94-85 maqedonasit e KK Kuzov, ndeshje e luajtur në fushën e këtij të fundit. Një fitore e merituar e skuadrës durrsake, që deri më tani nuk ka asnjë humbje në këtë event rajonal, duke kryesuar grupin me 6 pikë të plota.
Sfidë e komanduar gjatë gjithë kohës nga basketbollistët durrsakë, që e thelluan avantazhin nga perioda në periodë, duke qenë gjatë gjithë kohës në avantazh. Që në minutat e para u pa qartë që skuadra e Teutës ishte një shkallë më lart, duke marrë frenat e takimit, ndërkohë që pjesa e parë u mbyll në avantazhin 50-40 për “djemtë e detit”.
Epërsia thellohet edhe më shumë në periodën e tretë, me durrsakët që kanë komandën e lojës, duke luajtur shpejt dhe ishin superiorë nën tabelë. Pas 30 minutave lojë, Teuta udhëheq 74-58, avantazh që i jep mundësi ekipit durrsak të administrojë avantazhin në 10-minutëshin e fundit. Maqedonasit tentojnë të rikuperojnë, por Teuta luan pa gabime dhe fiton 94-85, duke arritur një fitore të merituar.Shtatlarti Endrit Hysenagolli, me 28 pikë e 9 rebaund ishte lojtari më i mirë në fushë, mbështetur edhe Wilson me 20 pikë e Copes me 20.
Për maqedonasit e Kuzov u dallua Pekovic me 23 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen, e dyta për fqinjët tanë në këtë event rajonal. Sipas kalendarit të BIBL, ndeshja e radhës e Teutës më 18 dhjetor, ndaj bullgarëve të BC Beroe, sërish jashtë fushe.





