Një nga sfidat më interesante të javës së 9-të të Superiores, që mbyll fazën e parë, është ajo mes Egnatias dhe Teutës. Përballen dy ekipe që vijnë në një moment të mirë, pas fitoreve respektivisht ndaj Skënderbeut dhe Tiranës. Sigurisht, morali është më i lartë në kampin durrsak. Teuta i ka shkaktuar humbjen e parë Tiranës dhe qëndron në pozita të mira në klasifikim. Tani “Djemtë e detit” kërkojnë edhe “kokën” e Egnatias dhe ndaj këtij kundërshtari kanë një histori goxha të mirë.

Egnatia kampione në fuqi ka dominuar sezonet e fundit ndaj të gjitha skuadrave, por jo ndaj Teutës. I vetmi kundërshtar që rrogozhinasit nuk ia kanë dalë ta mposhtin vitet e fundit është pikërisht skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Martini. Nga 10 sfidat e fundit mes këtyre dy ekipeve, Teuta ka fituar 6 herë, 3 ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe vetëm një herë ka fituar Egnatia. Kjo ka ndodhur në dhjetorin e vitit 2021 dhe që atëherë rrogozhinasit e kanë pasur “mollë të ndaluar” fitoren ndaj durrsakëve.

Një bilanc pozitiv për bregdetarët, të cilët kanë kështu edhe një “aleat” tjetër për fundjavën e ardhshme, statistikat. Megjithatë, ndeshjen e fiton skuadra në fushë dhe jo numrat dhe historia. Pritet që këtë herë të jetë një duel shumë i luftuar, pasi të dyja skuadrat kanë pretendime për të ngjitur shkallët në tabelën e klasifikimit. Për ndeshjen me Egnatian trajneri Edi Martini ka ndonjë dilemë për mesfushën, ndërsa sulmi dhe prapavija nuk ndryshojnë nga ndeshja e fundit. Vila, Lloci dhe Beqja kanë vendin e tyre në formacion dhe dilema e trajnerit shkodran është njëri mes Torrajt dhe Arifit për të plotësuar mesfushën.