Teuta luan ndeshjen e radhës ndaj Laçit në kampionat, e dyta në këtë sezon, pasi ndeshja e parë ndaj Partizanit është shtyrë për një tjetër moment. Pas barazimit me një lojë mjaft premtuese ndaj Laçit, durrsakët synojnë të gjejnë tri pikët ndaj kurbinasve, që vijnë në këtë përballje pas humbjes në limite ndaj Partizanit. Skuadra stërvitet prej ditësh për këtë sfidë, por statistikat tregojnë se Diego Longon dhe të tijtë nuk i pret një ndeshje e lehtë. Durrsakët kanë bilanc negativ ndaj Laçit në betejat e fundit.
Nga skuadrat e elitës, Laçi është një nga rivalët më të vështirë të durrsakëve, edhe në momentet kur kurbinasit nuk kanë qenë në ditët e tyre më të mira. Në sezonin e shkuar dy ekipet u përballën katër herë dhe në të gjitha këto sfida kanë arritur të fitojnë kurbinasit. Këta të fundit arritën ta ndëshkojnë Teutën plot 10 herë në këto sfida, duke marrë 12 pikë të plota, një precedent, që me siguri nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë mes këtyre dy ekipeve. Triumfi i fundit i Teutës në një betejë ndaj Laçit daton në prill të vitit të shkuar.
Duhet thënë se në këtë sezon është një histori krejt tjetër, pasi të dyja skuadrat kanë pësuar shumë ndryshime dhe kanë në përbërje thuajse dy skuadra të reja, bashkë me stafet teknike. Fakt është që Longos tashmë i lind detyra e vështirë të thyejë këtë trend dhe të kthejë trendin pozitiv ndaj kurbinasve. Gjatë këtyre ditëve të fundit durrsakët kanë intensifikuar përgatitjet për sfidën me Laçin në transfertë. Longo shpreson të ketë sa më shpejt në formë Albi Allën, teksa ndaj Laçit nuk përjashtohet mundësia që disa prej lojtarëve që nuk kanë debutuar ende, të zbresin në fushë.