Në Poloni “Djemtë e Detit” do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore. Tashmë blutë luajnë dy miqësoret e fundit në Poloni, e para kundër Polonia Sroda, ndërsa të mërkurën do të jetë edhe “prova gjenerale” e Teutës para kampionatit, ku do të përballet me Lech Poznan II.

Me këto teste do të mbyllen dhe përgatitjet e 2 herë kampionëve të vendit dhe javën që vjen skuadra do të nisë përgatitjet specifike për ndeshjen e javës së parë të kampionatit ndaj Dinamos. Skuadra e Teutës dje ka vijuar nga puna për javën e sezonin e ri. Durrsakët do të ndeshen me Dinamon në shtëpi dhe deri më 23 gusht stafi teknik do të ketë mundësi që të fiksojë edhe 11- shin “tip”. Çdo rol është thuajse i dubluar dhe kjo i krijon kushtet për të realizuar edhe objektivat.

Te Teuta janë të sigurt se skuadra do të jetë më e fortë se ajo e një viti më parë. Madje do të pretendojë të sjellë në “Niko Dovana” Europën, që Teutës i mungon prej disa sezonesh. Këtë vit Teuta ka një skuadër më të kolauduar se ajo e një viti më parë. Prandaj edhe pretendimet në Durrës për këtë sezon janë të qarta. Të luftojnë për katër vendet e para. Ekipi dje ishte i mobilizuar dhe do të kërkojë ta nisë sezonin me “këmbën e mbarë”. Java e parë do edhe disa ditë që të startojë, ndaj në Durrës mendojnë se kanë mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur ashtu si duhet.