Largimi i Cesare Beggit nuk erdhi në një moment të mirë për Teutën, pasi durrsakët edhe pse kanë treguar një lojë të mirë janë në vendin e fundit në klasifikim. Për momentin zgjidhja e drejtimit të skuadrës është gjendur brenda shtëpisë, me Gentian Begejën që rikthehet për të 4 herë në krye të Teutës. Ish futbollisti dhe trajner i të rinjve të klubit, ka një punë të vështirë përpara, pasi duhet të pregatisë skuadrën për të kaluar një ngëç të madh, atë të shënimit të golave. Djemtë e Detit në 4 javët e para nuk kanë arritur akoma të gjejnë rrugën e rrjetës, duke qënë një nga 3 ekipet e Kategorisë Superiore të cilat e kanë zero numrin e golave të shënuar. Dhe pikërisht këtu duhet të ndërhyjë Begeja që ka drejtuar më parë Teutën në periudhat shtator 2012 – janar 2013, nëntor 2014 – maj 2015 si dhe gjatë verës së këtij viti pas largimit të Julian Ahmataj. 43-vjeçari e njeh mjaft mirë ambientin dhe rikthimi i tij ndoshta mund të rezultojë me fat për futbollistët që rastet për shënim nuk u kanë munguar në këto 4 javë. Bangal, Magani dhe Lamçja janë sulmuesit e aktivizuar teksa pranë golit kanë qënë edhe mesfushorët Çyrbja, Cmajcanin, Gripshi dhe Musta. Fundjava ndaj Korabit është një mundësi e mirë për sulmuesit të zhbllokohen, teksa Begeja për të fituar kreditet pse jo për të qëndruar gjatë në krye të Teutës.





