Nuk ka qenë shumë me fat Teuta në shortin e Ligës së Europës, sepse në turin e parë do të përballet me Kairat Almatin nga Kazakistani.

Kampionati kazak ka rritje të konsiderueshme dhe Kairat është i treti aktualisht, me kampionatin që ka nisur prej kohësh, ndaj fizikisht Kairat është në formë perfekte. Gjithashtu, Kairat ka shumë eksperiencë ndërkombëtare, sepse ka luajtur në Europa League në dy sezonet e fundit dhe ka shkëlqyer.

Ekipi nga qyteti i Almaty-it ka në përbërje edhe 2 futbollistë me shumë emër në arenën europiane siç janë rusi Andrey Arshavin dhe ukrainasi Anatoly Tymoshchuk që në të kaluarën kanë luajtur respektivisht për klube të mëdha si Arsenali dhe Bayerni. Në sezonin e kaluar Kairat Almaty avancoi deri në fazën play-off të Europa League ku eliminua në saj të goli në fushë kundërshtare nga gjigantët francezë të Bordeaux.

Kjo skuadër ka edhe një tjetër favor krahasuar me Teutën sepse aktualisht është në mes të sezonit dhe pas 17-javëve të para pozicionohet në vendin e 3-të të kampionatit kazak. Nëse Kukësi ka shanse të mira për tu kualifikuar në raundin tjetër, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Partizanin, Teutën apo edhe Shkëndijën e Tetovës, edhe pse në futboll ka gjithmonë surpriza dhe asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë.

Ndeshjet e para të turit të parë kualifikues të Europa League do të luhen në datën 30 Qershor dhe ato të kthimit një javë më pas në datën 7 Korrik.