Teuta vijon përgatitjet sa i përket ndeshjes kundër Flamurtarit, që do të luhet nesër në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Te durrsakët vihet re besimi që lojtarët kanë për një fitore. Nga ana tjetër, trajneri Gugash Magani po mban me këmbë në tokë ekipin, duke i ndërgjegjësuar për sfidën që i pret. Kreu i pankinës kërkon të evitohen shenjat e euforisë, pasi do të ishte fatale në këtë moment. Në seancën e djeshme, trajneri peqinas punoi me ekipin më shumë sa i përket anës taktike. Magani nuk do që të ketë ndonjë surprizë të pakëndshme, duke ulur ngarkesat nga frika e dëmtimeve.

Në stërvitjen e së premtes u zhvillua edhe një minindeshje për të parë më mirë gjendjen e futbollistëve. Lojtarët po kalojnë një formë të mirë dhe humbja ndaj Partizanit në Tiranë është harruar shpejt. Magani është fokusuar shumë te reparti i avancuar dhe goditjet në portë. Ribaj, Magani dhe Faizal kanë goditur nga pozicione të ndryshme, me synim për të rregulluar shënjestrën. Janë aplikuar edhe goditjet standarde, ku Progni, Çyrbja dhe Musta kanë qenë ekzekutuesit. Magani ka këshilluar edhe Hilën e kapitenin Hoxha, që të tentojnë goditjet nga distanca, sa herë që do t’u jepet mundësia gjatë lojës.

Të dy shquhen për goditjet të forta dhe shpesh kanë realizuar. Dje portierët Moçka dhe Kastrati kanë pasur shumë punë, jo vetëm për atë që ndodhi në ndeshjen e kontrollit, por veçanërisht me përgatitësin e tyre, Xhevahir Kapllani. Ky i fundit nuk i ka lënë të merrnin frymë për asnjë moment, duke praktikuar ushtrime të ndryshme, por edhe nga distanca të afërta.Tashmë skuadra duket e karikuar për të kaluar me sukses ndeshjen e nesërme, e cila është shumë e rëndësishme për ecurinë në kampionat, pasi durrsakët rrezikojnë shumë.