Mehdi Çoba shkëlqeu në Kupat e Europës me Vllazninë dhe u mendua se kuqeblutë kishin bërë një “bingo” të madhe me sulmuesin 21-vjeçar, për të cilin trajneri Tomas Brdariç kishte besuar.Mirëpo, në këto 15 javë kampionat, duke qenë se te shkodranët u afruan sulmues, si Ante Aralica dhe Fahrudin Gjurgjeviç, hapësirat për Çobën kanë qenë gjithnjë e më të pakta.

Ai është aktivizuar në 9 ndeshje si zëvendësues, por me vetëm 74 minuta në total, që nuk janë as sa një takim i plotë. Gjithsesi, sa herë Çoba është futur në fushë, ka lënë gjurmë me asiste për gol dhe goditje drejt portës, duke dhënë sadopak kontribut në rezultatet e skuadrës.

Duke parë këtë situatë, ku lojtari më shumë qëndronte në stol, sesa aktivizohej, klubet e tjera të Superiores nisën të interesoheshin.Teuta ka qenë një prej skuadrave që e donte më shumë shkodranin e talentuar. Sulmuesi është nën kontratë me Vllazninë dhe ndoshta drejtuesit shkodranë mund të krijonin një hapësirë për huazimin e tij, por gjithsesi Teuta nuk e pranonte këtë.Në të tilla kushte ka ndërhyrë menjëherë trajneri Tomas Brdariç, sapo ka mësuar se disa ekipe të Superiores kërkojnë Çobën për në janar.Gjermani ka vendosur veton për qëndrimin e sulmuesit, duke e konsideruar pjesë të rëndësishme të skuadrës, edhe pse në repartin e sulmit konkurrenca është shumë e madhe.Madje, si për të konfirmuar se e mbështet shumë Çobën, vetë Brdariç i kushtoi lojtarit një postim në rrjetet sociale. “Mbështesim talentet e uritur dhe studiozë si Mehdi Çoba”, shkruante trajneri për sulmuesin.