Durrës, 25 korrik 2014 – Amadou Samb shndërrohet në “mollë sherri” mes Teutës dhe Vllaznisë. Sulmuesi senegalez, aktualisht me pushime, ishte një ndër lojtarët më cilësorë të “Djemve të Detit” gjatë fazës së dytë të kampionatit, por në fund të sezonit ai u largua nga skuadra duke e lënë të hapur rikthimin. Por me prishjen e kontratës me “Gea Sport”, kompani e cila bëri të mundur transferimin e 26-vjeçarit në kampionatin shqiptar në formën e huazimit nga Verona, Teuta do ta ketë shumë të vështirë ta rikthejë në Durrës të lojtarin.

Samb me shumë mundësi do t’i bashkohet Vllaznisë dhe kjo lidhet me faktin se për dy vitet e ardhshme klubi shkodran do të jetë nën administrimin e “Gea Sport”, me presidencën e re që ka premtuar afrime tepër cilësore nga tregu italian i futbollit. Fillimisht senegalezi do t’i bashkohet në stërvitje Veronës, që zotëron kartonin e tij, por vështirë se klubi i Serisë A do ta federojë për sezonit e ardhshëm, pasi konkurrenca në ekip është shumë e lartë. Kampionati shqiptar, më konkretisht Vllaznia, mbetet pista kryesore për të ardhmen e senegalezit, që mbetet një lojtar cilësor për Kategorinë Superiore.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/