Vetëm një sukses në këtë kampionat dhe 5 ndeshje radhazi pa fitore janë tregues i startit larg pritshmërive të këtij sezoni të Teutës. Katër barazime dhe katër humbje rikthyen hijet e edicioneve 2014-2015, ku blutë kanë luftuar deri në fund për mbijetesën.
Vetëm 7 pikë të grumbulluara, për një start edhe më të dobët se ai i sezonit të mëparshëm, ku në nëntë javët e para “blutë” kishin grumbulluar 13 pikë. Një vit më parë, pas janarit skuadra tregoi shumë oshilacione dhe kishte sinjale krize, ndërsa më pas në mesin e fazës së 3-të dhe asaj të katërt regjistroi vetëm fitore.
Sezonin e kaluar blutë e mbyllën në vendin e gjashtë, duke kaluar nga skuadra kampione, në duelin direkt për zonën e ftohtë, por mjaftoi ecuria e mirë në fund për të qëndruar mes më të mirëve.
Përveç këtij aktualit, më i dobëti në tetë sezonet e fundit ka qenë starti i kampionatit 2014-2015, me Teutën që arriti të merrte 7 pikë në mbyllje të fazës së parë, aq sa ka sivjet. Në 9 javët e para të kampionatit durrsakët kishin fituar vetëm përballë Elbasanit dhe Skënderbeut e pavarësisht se deri në mbyllje të fazës së parë kishin grumbulluar vetëm 7 pikë, në fund e mbyllën në vendin e 8-të.
Më e mirë paraqitja në fillimin e edicionit 2015-2016, me 13 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje, pas katër fitoreve dhe një barazimi, ndërsa nisja më e mirë e kampionatit është regjistruar në sezonin 2019-2020 tri vite më parë me 17 pikë të grumbulluara.Por, edhe në sezonin 2014-2015 Teuta e siguroi mbijetesën vetëm në ndeshjen e parafundit, duke u renditur e 8-ta mes 12 skuadrave. Për të larguar hijet e zeza të së kaluarës, tani Teuta do të kërkojë të kthehet te fitorja që nga ndeshja me Laçin.
Suksesi do të vlente për klasifikimin, si dhe për të futur në krizë një rival direkt, por edhe për moralin, sepse në javët pasardhëse kalendari bëhet më i vështiri me duelet përballë Bylisit, Erzenit dhe Kukësit. Ndërkohë, pasditen e djeshme Teuta ka rinisur përgatitjet pas dy ditësh pushim, duke startuar misionin për betejën me Laçin.