Durrës, 8 prill 2014 – Teuta kërkon kualifikimin dhe për këtë duhet një fitore e durrsakëve në “Niko Dovana” në ndeshjen e së mërkurës në orën 18.00, ndërsa Kukësi ka një rezultat për të mbrojtur në sfidën e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës. Në rrugëtimin e tyre, të dyja skuadrat kanë hasur vështirësi, pavarësisht favorizimit nga shorti.
Teuta sipas ndarjes ishte pjesë e shortit në Grupin A ndërsa Kukësi në Grupin B. Ecuria e dy skuadrave që tek Kupa kishin objektivin kryesor të sezonit nisi me sfida të lehta në letër.
Teuta triumfoi ndaj Besëlidhjes me rezultat të përgjithshëm 4-1, ndërsa Kukësi eliminoi pastër 6-0 Naftëtarin. Megjithatë ngërci për të dyja ekipet vjen në 1/8 e finaleve, ku Teuta përballet me Shkumbinin dhe Kukësi me Apoloninë. Dy ekipet e Kategorisë së Parë bëjnë rezistencë në ndeshjen e vajtjes me peqinasit që ndalin djemtë e detit në barazim pa gola, ndërsa fierakët fitojnë në shtëpi minimalisht 1-0. Sfidat e kthimit kërkojnë impenjim maksimal për të evituar surprizat e pakëndshme. Teuta vulos kualifikimin me rezultatin 2-0, një fitore që vuloset në fundin e takimit me golin e dytë të Muriqit. Ndërkohë në Tiranë Kukësi nuk fal duke thyer 4-0 Apoloninë, për të zhvlerësuar fitoren në ndeshjen e parë të kundërshtarit.
Çerekfinalet rezultuan më të thjeshta për të dy skuadrat edhe pse përballë kishin kundërshtar të Kategorisë Superiore. Teuta likuidon Lushnjen me dy fitore, në transfertë dhe shtëpi, ashtu siç bënë edhe Kukësi ndaj Bylis, me dy fitore identike 2-1.
Në gjysmëfinalen e parë të dyja ekipet dhuruan emocione të jashtëzakonshme, në një ndeshje të hapur për 90 minuta ku në fund fitorja i buzëqeshi Kukësit, por spektakli i dhuruar në fushë i ka kënaqur të gjithë. Për të ardhur deri në gjysmëfinalen e kthimit Teuta regjistron 5 fitore, 1 barazim dhe një humbje me golavarazh 15-8, ndërsa Kukësi ka 6 fitore dhe 1 humbje me golavarazh 17-4.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





