Kur të gjithë presin se çfarë do të ndodhë me sezonin aktual, ku duhen edhe 10 ndeshje për t’u luajtur që të mbyllet, Teuta ka bërë lëvizjen e parë në ekip, prej të cilit është larguar sulmuesi nga Guniea, Idelino Gomes Kolubali. Sulmuesi i afruar me bujë nuk arriti të tregonte veten në Durrës dhe tashmë marrëdhënia e tij me Teutën është shkëputur përfundimisht. Pra, pa u hapur merkatoja tek Teuta nisin largimet, pikërisht në repartin e sulmit, aty ku skuadra durrsake ka zhgënjyer më shumë në 26 javët e luajtura në kampionat.
Falë shtatlartësisë së tij, 204 cm, pritej shumë nga afrikani, por ai nuk ka bindur aspak në Durrës, teksa u aktivizua vetëm në 8 ndeshje me Teutën, 6 prej të cilave i nisi si titullar. Në 449 minuta të luajtura arriti të realizonte vetëm 1 gol.Gomes është paraqitur dje në zyrat e klubit për të tërhequr lejekalimin dhe e ka mbyllur bashkëpunimin me Teutën. Ndoshta Gomes mund të rikthehet në Portugali, ku kishte luajtur për herë të fundit para se të vinte në Shqipëri.
Me motivin se zhgënjeu, Ide Gomes u largua pa u mbyllur sezoni, ndonëse u afrua në merkaton e janarit për të zgjidhur ngërçin në fazën sulmuese. Në fillim të muajt janar, eksperienca e gjatë e 26-vjeçarit duket se bindi drejtuesit e Teutës, që ta bënin Gomesin pjesë të tyre, por tashmë duket se janë penduar. Shkak mësohet të jenë bërë paraqitjet e lojtarit në ndeshjet e 2020-ës, por edhe forma jo e mirë që ai ka treguar gjatë seancave stërvitore. Në të gjitha ndeshjet ku luajti, shtatlarti nuk arriti të linte shenjë. Një gjë e tillë ka lënë të pakënaqur stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe presidencën, që vendosën ta largojnë Gomesin pa u mbyll sezoni. Rubin Hebaj do të mbajë i vetëm peshën e sulmit për pjesën e mbetur të këtij sezoni.Sulmuesi Gomes u shpreh:
“Falënderimet së pari i takojnë Zotit. Më pas dua të shpreh një falënderim të madh për familjen Teuta, presidentit dhe familjes së tij, stafit dhe shokëve të skuadrës, të gjithë atyre me të cilët kam punuar gjatë kohës që kam qenë aty, si dhe tifozëve më të mirë në Durrës, ‘djemtë e detit’. Dua thjesht t’i falënderoj nga thellësia e zemrës sime. Kam mësuar shumë gjatë kësaj kohe. Nuk doja të përfundonte kështu, por në jetë ndonjëherë duhet të marrim vendime.
Një falënderim i madh për qytetin e Durrësit. Ju uroj të gjithëve, më të mirat në të ardhmen. Tani do të më duhet të shkoj pranë familjes time dhe të gjej një skuadër të re dhe të jap maksimumin me ekipin që do luaj. Unë i uroj fat Teutës dhe jam i bindur se ata mund ta shkojnë në Europë dhe të fitojë diçka”.





