Një situatë alarmante është krijuar në klubin shumësportesh Teuta në Durrës. Sipas sekretarit të këtij klubi, Emiljan Jani, shkak është bërë ndërprerja e grantit të planifikuar që në fillim të vitit nga qeveria për bashkinë e Durrësit. Në një mbledhje të menjëhershme të organizuar nga bashkia e Durrësit me organet vartëse të saj, për pasojë edhe klubin shumësportesh Teuta, është bërë e ditur situata e rëndë financiare e krijuar pas miratimit të aktit normativ të miratuar nga deputetët e mazhorancës në Kuvend.

Jani sqaron, se emergjenca është krijuar nga pamundësia e Bashkisë për të mbështetur financiarisht punën dhe veprimtarinë normale të këtij klubi, si pasojë e ndërprerjes në mënyrë të menjëhershme dhe absurde të kuotës financiare të miratuar më parë. Pas kësaj gjithçka është vënë në rrezik dhe pasojat duken se do të jenë të rënda.

Ndër to shtohet mundësia e bllokimit të aktivitetit dhe të vetë funksionimit të pallatit të sportit. Klubi durrsak i lojërave konkuron në 11 lloje sporti dhe në mjaft prej tyre është elitar: si në volejboll, mundjen e lirë, shah, not, bilardo etj. Në këto sporte aderojnë me dhjetëra e dhjetëra sportistë meshkuj dhe femra, të cilëve klubi u detyrohet për pagat e trajtimit ushqimor dhe detyrime të tjera financiare. Situata është aq alarmante, nënvizon i pari i shumësportëshit durrsak, sa që mund të mbyllet edhe pallati i sportit “Ramazan Njala”.

Jani komenton gjithashtu jo pak i shqetësuar precedentin e krijuar, si pasojë e bllokimit të fondeve të klubit nga mosdhënia e grantit. “Nuk është thjesht pozicioni politik shkaku i krijimit të kësaj situate, për sportistin dhe punonjësit e institucionit tonë kjo ka pak rëndësi. Në sport përfaqësohen interesat e qytetit dhe jo të partive dhe nuk e meritonim të ndëshkoheshim kështu”,- deklaron Jani. Diku nga mesi i muajit nëntor mund të paguhen pagat e punonjësve për muajin tetor, duke mos dhënë asnjë garanci dhe siguri tjetër për rrogat e muajve pasardhës. Veç kësaj si shkak i këtij kolapsi financiar, bllokohen telefonat, interneti, pagesat për ujin, dritat etj., çka do të thotë ndërprerje e aktivitetit normal të pallatit të sportit “Ramazan Njala”.

Kujtojmë që pallati i sportit i Durrësit është ndër mjediset më me peshë edhe në sportin kombëtar, duke përballuar jo pak nga veprimtaritë qendrore të sporteve dhe federatave të ndryshme. Qeveria shqiptare, me një akt normativ miratuar vetëm pak ditë më parë, i hoqi pushtetit lokal grantin e pa kushtëzuar, pasi ato para do të kalojnë për mbulimin e deficiteve që ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizime në rang vendi i kanë kompanisë CEZ. Dihet mirë se kjo ndërmarrje nuk varet nga Bashkia.

Por ndërprerja e fondeve financiare, për kalim të tyre për llogari të CEZ nga ujësjellësi i Durrësit, krijon një nga anomalitë më të pazakonta dhe në ushtrimin e veprimtarisë normale të klubit shumësportesh Teuta. “Në këto kushte,- konfirmon Emiljan Jani për ‘Dyrrah’,- jemi në prag të mbylljes së aktivitetit tonë sportiv. Tashmë asgjë nuk varet më nga ne. Kuptohet qartë se kur mungon ana financiare, më e pakta që mund të ndodhë janë parregullsitë që prishin normalitetin e veprimtarisë së klubit tonë, deri në mbylljen e pallatit dhe ndërprerjen e kampionateve nga ana e ekipeve të Teutës”.