23gusht 2015 – Teuta e nis me fitore. Skuadra e drejtuar nga Magani ka marrë 3 pikët e para në këtë start sezoni përballë Flamurtarit që e nis keq dhe jashtë pritshmërive. Një ndeshje ku durrsakët kanë bërë më mirë dhe janë shpërblyer me fitore. Flamurtari ka shfaqur problem në organizimin e lojës dhe ka bërë shumë pak për të sulmuar durrsakët. Në fund gjithçka mbyllet 0-1 dhe Teuta merr 3 pikët . Meglid Mihani u rikthye me gol në futbollin e madh. Futbollisti kavajas shënoi golin e fitores përballë Flamurtarit dhe kështu 31 vjecari i dha 3 pikë Teutës përballë vlonjatëve. Një rikthim me fitore në krye të stolit të Teutës dhe për Maganin, që arrin t’i bëjë një fillim të mbarë sezonit të ri. Trajneri i teutës shprehet i kënaqur me ekipin dhe me 3 pikët, por thekson se skuadra ka ende punë që të vazhdojë me këtë ecuri. “Edhe pse fituam mendoj se kjo nuk është fuqia e vërtetë e Flamurtarit. Ky ekip ka pak kohë që është formuar dhe do jetë akoma më i fortë. Në përfituam edhe nga kjo dhe e arritëm fitoren. Natyrisht që ne u futëm në fushë për të synuar 3 pikët dhe unë jam i kënaqur me ekipin pasi lojtarët zbatuan më përpikmëri detyrat e tyre.

Synimi jonë është që të jemi në 6-shen e parë të kampionatit, por do i marrim ndeshjet një nga një duke përmirësuar gjithmonë lojën tonë. Ekipi i Teutës ka bërë shumë ndryshime dhe unë sot pashë se po funkionojnë shumë më mirë”, thotë fillimisht Magani. I pyetur si ndjehet që ka në skuadër djalin e tij, trajneri deklaron se se kjo është normale, deri në momentin që ai është gati për t’ju përgjigjur lojës së ekipit. “I dhashë mundësi djalit tim dhe ai e ka justifikuar deri në një farë mase, por mund të bënte dhe më shumë, pasi kishte dy mundësi të mira. Megjithatë te teuta do të luajë ai që e meriton dhe kjo mbetet për t’u parë në vazhdim”, deklaroi pas ndeshjes Gugash Magani.Krahasimi mes Tiranës e Teutës? “Tifozët i kam pasur gjithnjë në krahun tim, kudo, por te Teuta ka qetësi dhe mbështetje të madhe nga klubi, ndërsa te Tirana kishte njerëz që nuk mendonin për të mirën e përbashkët”.