Teuta e nis me një barazim të papritur me Lushnjën 2018-ën. Formacioni i Stavri Nicës edhe pse arriti të përmbyste disavantazhin fillestar të “lagunarëve” u ndëshkua në pjesën e dytë nga Sefa, duke marrë vetëm një pikë në shtëpi.

Skuadra durrsake e nis keq lojën, pasi në minutën e 10-të një goditje e Cankës e devijuar nga mbrojtja përfundoi në rrjetë. Reagimi i Teutës ishin i shpejtë, fillimisht me Fabian Beqajn në të 24-ën, ndërsa tre minuta më vonë Çyrbja u dha epërsinë vendasve me realizimin e një 11-metërshi.

Pikërisht pas akordimit të penalltisë pati një reagim nga tifozët e paktë të Lushnjës në “Niko Dovana”, duke detyruar kryesorin që të ndërpriste ndeshjen, ndërsa forcat e rendit shoqëruan disa prej tyre.

Në pjesën e dytë Teuta u mundua të kontrollonte lojën, pa rrezikuar në prapavijë, por në minutën e 57-të një sulmues me eksperiencë si Fsatjon Sefa ktheu baraspeshën në rezultat.

2-2 u mbyll ky takim, pasi “Djemtë e Detit” nuk mundën të realizonin një tjetër gol në minutat e mbetura për të marrë fitoren.