Pas konfirmimit të datës së nisjes drejt Italisë për fazën përgatitore, vjen edhe konfirmimi për katërkëndëshin e portës. Kështu, Elhan Kastrati do të jetë numri një i Teutës edhe për një tjetër sezon. Kuksiani, i cili është rritur në akademinë e Teutës, do të mbrojë portën e ekipit të “djemve të detit” dhe për një vit tjetër, duke bërë të mundur sigurimin e një pike të rëndësishme për skuadrën e Maganit. Këtë e konfirmon vetë portieri i ri Elhan Kastrati, i cili shprehet se do të qëndrojë edhe një tjetër sezon në Durrës. Gardiani durrsak nuk harron që t’i falënderojë drejtuesit dhe stafin për besimin që i është dhënë. “Konfirmoj që do të jem pjesë e ekipit të Teutës edhe për një vit tjetër. Kam arritur marrëveshjen me drejtuesit dhe i falënderoj për besimin që më kanë dhënë.Jo vetëm kaq, por premtoj se do tua shpërblej me paraqitje të mira.

Klubi ka një projekt ambicioz dhe uroj që si pjesë e tij të bëjmë më të mirën tonë të gjithë së bashku. Jam rritur te ky ekip dhe është kënaqësi që të luaj për këto ngjyra, të cilët më formuan dhe më bënë ky që jam. Tani do të presim që të kemi grupin e plotë dhe të përgatitemi për sezonin e ri.Unë personalisht e përsëris që me këtë fanellë do të jap më të mirën time. Kjo skuadër, ky qytet dhe kjo tifozeri e meritojnë diçka të tillë”, ka përfunduar Kastrati prononcimin e tij. Kujtojmë që Kastrati u rikthye sezonin e shkuar në merkaton e janarit tek ekipi i Teutës, në formën e huazimit nga skuadra e Peskarës. I riu u aktivizua pothuajse në të gjitha ndeshjet si titullar dhe ka marrë edhe lejen e skuadrës italiane, në mënyrë që të vazhdojë karrierën e tij në Superioren shqiptare. Peskara është rikthyer këtë sezon sërish në Serinë B italiane, duke mos arritur që të qëndrojë në elitën e futbollit përtej Adriatikut.