25 janar 2015 –  Teuta është e pafat sepse pasi e ka ruajtur barazimin deri në sekondat e fundit të minutës së pestë shtesë ku një gabim i Brahjas ka sjellë kontrollin e topit nga Shehaj që ka shënuar golin e fitores 2-1 për vlonjatët në një ndeshje ku pavarësisht humbjes heroi i vërtetë për durrsakët ishte portieri Alfred Osmani i cili zëvendësoi Rizvanin e dëmtuar dhe ka qenë pikërisht Osmani që ka shpëtuar portën e tij në shumë raste duke ruajtur barazimin por në fudn e kishte të pamundur të ndalonte Shehaj që ishte fare pranë portës.

Në fakt, goli i Shehajt u duk sikur ishte tërësisht i pritshëm pas asaj që u pa në minutat e fundit, me Teutën që vetëm mbrohej por bënte pafund edhe gabime pasi kishte rezistuar për 90 minuta. Të dyja skuadrat vinin me ndryshime të rëndësishme në formacion, pasi kishin inkuadruar blerjet më cilësore të janarit. Në kampin vlonjat u aktivizuan titullarë Tomiç dhe Nikoliç, ndërsa te Djemtë e Detit binte në sy prania në formacion e Brahjes, Kulit dhe Cotës, që formonin boshtin e skuadrës nga mbrojtja në sulm. Flamurtarit i mjaftuan më pak se katër minuta lojë për të zhbllokuar rezultatin me Abilaliajn, i cili fillimisht devijoi me finte një goditje të Telushit, dhe pasi e ndoqi aksionin e dërgoi me forcë topin në rrjetë. Goli i shpejtë nuk e shpërqendroi Teutën, përkundrazi Djemtë e Detit me kalimin e minutave u bënë më të rrezikshëm, falë edhe fantazisë së Bekim Kulit që e nxirrte me zgjuarsi skuadrën përpara. Cuditërisht Flamurtari e uli ritmin e lojës dhe në minutën e 25 një gabim në dalje i portierit Ilion Lika, u kushtoi rëndë vlonjatëve, pasi topi i mbetur në vijën fatale u shty drejt rrjetës nga Cota.

 Sfida u bë më interesante në fundit e pjesës së parë, me tentativën e Cotës që përfundoi mbi tra, ndërsa goditja e Vucajt u devijua nga Rizvani, i cili u detyrua t'i bënte vend Osmanit për arsye dëmtimi. Në pjesën e dytë Flamurtari u hodh i tëri në sulm për të gjetur golin e fitores, por portieri Osmani nuk lejoi që topi të përfundonte në rrjetë. Minutat e fundit ishin një presing i Flamurtarit por dhe paaftësi e plotë për të gjetur golin, por që njëkohsisht dhe një paaftësi e Teutës, që me pasivitetin e saj dhe pamundësinë për të larguar topin nga zona e saj i erdhi në ndihmë vlonjatëve për të marrë tre pikët.