Një ndeshje me dy fytyra dhe dy gola të shënuar në pjesën e dytë, Teuta rigjen pjesërisht buzëqeshjen vetëm një javë pas disfatës së shtëpisë kundër Flamurtarit. “Djemtë e Detit” nuk arrijnë të thyejnë Kamzën në transfertë sepse pas autogolit të Frashërit dorëzuan armët dhe lëshuan terren duke pësuar golin e barazimit në fundin e ndeshjes.
Në stadiumin e rikonstruktuar por pothuajse të boshatisur të Kamzës, skuadra e Ramadan Ndreut vuajti mungesën e pajustifikuar të mbështetjes së tifozëve vendas por edhe mungesën e eksperiencës dhe dëmtimin e Sebino Plakut në fillim të sfidës.
Me daljen e sulmuesit shqiptar, maja e repartit ofensiv mbeti në duart e Raçiç por ishte Teuta që e nisi ndeshjen me një rast të rrezikshëm të frymëzuar nga Latif. Pjesa e parë pa ritëm u mbyll me kundërpërgjigjen e Kamzës por japonezi Fukui edhe pse një nga më aktivët në fushë nuk u shfaq mjaftueshëm i ftohtë për të shënjestruar kuadratin.
Menjëherë pas rikthimit në fushën e lojës, Kamza dha sinjalin e parë me Raçiç, ndërsa Fukui e çoi topin mbi tranversë. Teuta u zgjua në të 52-ën kur Latif nga e djathta harkoi një top të ulët që gjeti këmbët e Frashërit i cili në mënyrë të pabesueshme e devijoi në rrjetë. Goli zgjidhi këmbët e Kamzës që u zhvendos në gjysmëfushën e durrsakëve duke krijuar disa raste të pastra si i ai minutës së 77 kur Mehmeti nuk përfitoi nga rrëmuja duke e ndaur topin në duart e Kastratit, ndërsa Neziri ishte i pafat në finalizim.
Ndeshja u tensionua 6 minuta nga fundi kur Fustar u rrëzua në zonë dhe vendasit pretenduan për një 11 metërsh, ndërsa Raçiç shpërdoroi sërish. Juxhin Xhaja dërgoi në dhomat e zhveshjes trajnerin Ranadan Ndreu, por në fushë Kamza fitoi një 11 metërsh pasi Ancic preku topin me dorë. Raçiç përballë Kastratit nuk fal.Fustar mund të kishte bërë mrekullinë por në minutat shtesë por nuk gjeti kohën e duhur për ta shtyrë në rrjetë topin e ardhur nga goditja e këndit. Vërshëllima e trefishtë çoi skuadrat në dhomat e zhveshjes pas një sfide të luftuar por pa fitues.
Kamza siguron barazimin e dytë por mbetet në zonën e ftohtë, ndërsa Teuta nuk përfiton nga avantazhi i përkohshëm dhe duhet të kënaqet me një pikë që e ngjit përkohësisht në krye bashkë me Skënderbeun, Flamurtarin dhe Kukësin.





