Teuta e pret me entuziazëm premierën e sezonit të ri futbollistik në Superiore ndaj Laçit. Përveç mbrojtësit Xhekson Ferreira, që do te mungojë në këtë përballje të parë për arsye dëmtimi, i gjithë grupi i lojtarëve është në dispozicion të stafit teknik.

Për trajnerin Arapi është e rëndësishme që skuadra durrsake të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë, në mënyrë që ta nisin mbarë kampionatin dhe për të shtuar besimin në vetvete.

Për këtë arsye, trajneri i Teutës, dje, para fillimit të seancës stërvitore zhvilloi një bisedë me të gjithë lojtarët, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin.

Arapi e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve. Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të sfidës së të dielës. Ndaj Laçit do të kërkohet fitorja e gërshetuar me paraqitje dinjitoze. Vështirësia e kësaj sfide është e madhe, sidomos kur dihet se përballë kanë një kundërshtar që vjen pas një ecurie të mirë, por edhe me shumë ndryshime pas aventurës europiane. Aspekti tekniko-taktik, dhe mbi të gjitha, ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Teutës.

Ajo që ra në sy në seancën e djeshme ishte se repartet punuan të veçuara. Mesfusha dhe sulmi janë sektorët që po marrin vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë.

Duke ditur se afrimet nuk kanë qenë të shumta, pritet që edhe në këtë sezon Teuta të tregojë fytyrën e pjesës së fundit të sezonit të shkuar nën drejtimin e trajnerit Arapi. Stafi ka disa dilema për sa i përket formacionit, kryesisht për role të veçanta, por nuk priten surpriza.