Tradita e futbollit në skenë, aty ku përballen Teuta dhe Tirana, skuadra që i kanë dhënë kripën elitës së futbollit shqiptar ndër vite. Për bregdetarët, më të vetëdijshëm për potencialin e tyre pas 8 pikëve në 5 javët e para, sfida e duhur për një tjetër fitore, për Tiranën, duke parë forcën e kundërshtarit dhe faktin që luan në shtëpi, fitorja do të ishte e vetmja rrugë.

Edi Martini në vitin e tij të dytë në stolin e Teutës pa dyshim që synon të bëjë diçka të madhe, të paktën të ruajë kurorën, aty ku vjet mundi ta fitonte. Për këtë takim trajneri pritet të ketë të gatshëm dy lojtarë kyç në mbrojtje dhe sulm si Ivanoviç, por edhe Lorenco Vila, që ngrohin disi ambientin në Durrës.

PËRGATITJET – Teuta e ka nisur javën stërvitore për ndeshjet me Tiranën dhe Luzin. Me një seancë të zhvilluar pasdite ka startuar zyrtarisht edhe java anti-Tirana. Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që vjen pas një ecurie të mirë. Megjithatë, të besuarit e Edi Martinit besojnë se do t’ia dalin. Skuadra po punon intensivisht.

Në takimin e së shtunës ekipi nuk do të jetë i plotë, duke i mos dhënë mundësinë Martinit të përzgjedhë formacionin më të mirë. Në Durrës nuk mund të tolerojnë një hap fals, kështu që tri pikët janë objektivi i vetëm. Nisja e këtij sezoni për Teutën ka qenë bindëse, ndaj forma më e mirë për të mbajtur atmosferën e mirë është që të mposhtin Tiranën.

Edi Martini e njeh mirë kundërshtarin, por e ka të qartë se këtë herë ata vijnë në një situatë pozitive. Kjo gjë nuk i pengon aspak “djemtë e detit” që të tentojnë fitoren dhe të marrin pikët që aq shumë i duhen. E megjithatë, para se të niste stërvitja për llogari të javës së 5-të, fillimisht trajneri Martini dhe stafi i tij kanë shpjeguar edhe programin e ditës. Përgatitjet kanë nisur me ritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara.

Mesfusha është sektori që po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë, duke filluar nga Vila, Plaku apo Koubemba. Martini pret me ngulm që skuadra të vijojë me fitore, por, pse jo, të vazhdojë edhe më lojën e bukur që ka dhuruar në katër ndeshjet e para. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që nga kjo sfidë të dalin me tri pikë.

GJENDJA E EKIPIT – Durrsakët këtë javë do të jenë me grup të plotë, rikthehen për ndeshjen ndaj Tiranës mbrojtësi Ivanoviç dhe sulmuesi Vila që ndaj Luzit pritet të aktivizohen për 30-40 minuta dhe tashmë do jetë në dispozicion të skuadrës në ndeshjen me bardheblutë.

STATISTIKAT – Statistikat tregojnë se Teuta është superiore dhe nuk ka zhgënjyer ndaj Tiranës, madje në ndeshjen e sezonit të kaluar Teuta ka arritur dy fitore ndaj kryeqytetasve. Dy ndeshje në Tiranë midis këtyre dy skuadrave janë regjistruar dy fitore të Teutës 0-1, ndërsa në “Niko Dovana” ka fituar Tirana 0-2 dhe një ndeshje është mbyllur në barazim 1-1, ndaj pritet që dhe kjo sfidë të përfundojë, pse jo, me një tjetër fitore të Teutës.