Të tria ndeshjet e mbetura të kampionatit konsiderohen finale për Teutën, që vjen nga fitorja 0-2 me Kukësin dhe synon trepikëshin e radhës të shtunën ndaj Egnatias në stadiumin “Niko Dovana”. Edhe pse luajnë me ekipin që kryeson renditjen, durrsakët pretendojnë më të mirën për të ngjitur shkallët në renditje dhe për të mos bërë asnjë hap prapa, pasi janë shkëputur tashmë nga zonë e ftohtë e tabelës së renditjes.
Ata kanë lënë pas edhe vendin e 8-të, që të çonte në “Play-out” dhe krijonte jo pak stres para ndeshjeve. Tashmë te Teuta janë më të qetë dhe shohin lart, ndërkohë që skuadra po përgjigjet më mirë në fushën e blertë dhe jep besim për të bërë më shumë në këto javë të mbetura.
Teuta është “top” para sfidës me Egnatian. Për trajnerin Edi Martini rikthehen dy lojtarë shumë të rëndësishëm, siç janë qendërmbrojtësi Elmando Gjini dhe mesfushori Ergys Peposhi. Gjini ishte i pezulluar në ndeshjen e fundit me Kukësin, ndërsa Peposhi ishte i dëmtuar. Durrsakët do të kenë kështu dy “armë” plus për këtë ndeshje të vështirë, që duhet kaluar me sukses.
Teuta ka një mbrojte mjaft solide tashmë, nuk është sekret. Me lojtarë si Jazxhi, Gjini, Kotobelli dhe Kruja, “Djemtë e detit” kanë garanci në prapavijë. Duke shtuar edhe portierin Vata, Teuta ka krijuar një bllok shumë të fortë prapa dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë moment të sezonit. Edhe repartet e tjera kanë punuar mirë në ndeshjet e fundit, sidomos sulmi, që në Kukës gjeti golat me Dacin dhe Boçin.