Teuta vijon pushimet pas mbylljes së sezonit dhe pritet që durrsakët të kthehen vetëmpas tri javësh në aksion. Rikthimi është planifikuar të ndodhë më 1 korrik dhe 13 ditë më vonë, ekipi blu pritet të lërë Durrësin, për t’u spostuar në një tjetër kompleks sportiv, ku do të zhvillojë edhe periudhën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri. Drejtuesit e klubit janë duke parë disa alternativa, por ende s’është vendosur se ku do ta zhvillojnë fazën përgatitore. Planet po bëhen ditaditës, por më përpara duhet plotësuar skuadra me futbollistët e duhur, me drejtuesit, që po vijojnë të punojnë akoma për të bërë lëvizjet e duhura në merkato, si në hyrje, ashtu edhe në dalje
“Djemtë e Detit” siguruan qëndrimin në elitë dhe tentuan në fund për një vend në Europë, por nuk ia dolën. Projekti i ri në Superiore do tënisë pikërisht nga Teuta e fundit të sezonit të shkuar ku për pos përgatitjeve në fushë do të vijojë edhe merkato. Klubi po synon që të afrojë lojtarë që kanë spikatur në ekipet pretendente. Mësohet se drejtuesit e klubit aktualisht po punojnë për përzgjedhjen e disa lojtarëve cilësorë. Gjithsesi, baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në të gjitha repartet. Në ditët në vazhdim lojtarë të rinj pritën t’i bashkohen Teutës deri në përfundim të merkatos.
Në Durrës deri në fund të qershorit pritet të ketë afrime. Drejtuesit po shohin tregun vendës dhe atë të rajonit, për të gjetur lojtarët e duhur dhe që mund të përshtaten sa më shpejt, pasi dhe koha në dispozicion është e konsiderueshme. Burime të besueshme pranë klubit durrsak, pohojnë se tashmë që merkato është hapur do të afrohet nga një lojtar në të tri repartet: mbrojte, mesfushë dhe sulm. Për momentin nuk mund të flitet për emra konkretë, sepse është herët dhe do të shihet se cilët futbollistë kanë mundësinë për të luajtur në Durrës.