Teuta siguroi mbijetesën këtë sezon. Faktikisht, një sezon që u nis me pretendime të mëdha. Nisi me idenë për të qenë pjesë e Europës përmes renditjes së Superiores, por shumë shpejt e gjetën veten në vendet e fundit të tabelës, gjë që ndryshoi dhe rrugën e së ardhmes.

Më pas u synua Kupa e Shqipërisë, por përballë Skënderbeut në fazën çerekfinale u treguan të dobët dhe kështu synimi i vetëm mbeti që të qëndronin mes më të mirëve të futbollit shqiptar, diçka që u arrit mes shumë sakrificash.

Tani, Teuta ka hedhur vështrimin për sezonin e radhës, padiskutim që do të synojë të rikthehet në nivelin që kërkon. Tashmë mësohet se do të ketë ndryshime radikale që nga stafi e deri te lojtarët.

Pritet që të ketë largime në masë, për shkak se objektivat e fillimsezonit u hodhën në erë, ndërkohë që po punohet për të gjetur pikë së pari një trajner që përmbush kriteret e "Djemve të Detit".

Emrat që qarkullojnë janë të shumtë, por do të jetë presidenca durrsake që do të marrë vendimin final. Edhe për sezonin e ri po punohet për të afruar lojtarë që do të sigurojnë realizimin e objektivave. Normalisht, pa u mbyllur ky sezon, durrsakët e kanë marrë seriozisht atë të radhës.