Kategoria Superiore është futur në një fazë interesante, kur na ndajnë edhe 13 ndeshje nga fundi i garës. Çështja e titullit duket e mbyllur me Skënderbeun që kryeson me 14 pikë më shumë se ndjekësit, megjithatë matematika i lejon të ëndërrojnë Kukësin, por edhe Flamurtarin.
Gara do të jetë e ashpër për pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane ku luftojnë katër skuadra, por një tjetër duel dhe madje edhe më i fortë do të jetë ai në mes Vllaznisë dhe Teutës.
Në pistën me dy korsi kuqeblutë dhe bregdetarët do të japin gjithçka për të siguruar qëndrimin në sallonin e madh të futbollit shqiptar. Pengesa e radhës për Vllazninë është Kamza, në letër një kundërshtar i kalueshëm nëse e krahasojmë me Teutën, që luan në transferë kundër Kukësit.
Me suksesin ndaj Flamurtarit, Vllaznia e përgatit në qetësi këtë takim, pasi e shikon veten në vend të tetë me 25 pikë, 3 më shumë se Teuta pas 23 ndeshjesh. Në 5 ndeshjet e fundit, ekipi i Gjokës ka një ecuri fantastike për objektivin mbijetesë, duke marrë 10 pikë nga 15 të mundshme.
Teuta është në rritje, megjithatë në krahasim me Vllazninë ka arritur të regjistrojë vetëm 2 barazime dhe një fitore në 5 ndeshjet e fundit, pra pesë pikë. Vllaznia duket se është bërë eksperte për të fituar garën e mbijetesës, pasi një vit më parë dërgoi Tiranën një kategori më poshtë.
Gjithsesi gjithçka mbetet e hapur dhe është e vështrië të bësh parashikime, por duke u bazuar tek kalendari, Teuta është pak më e favorizuar prej faktit se ndeshjen direkte me Vllazninë që do të zhvillohet në javën e 29-të, e luan në “Niko Dovana”.
Gjithsesi në lojë janë edhe 39 pikë dhe gjithçka mund të ndodhë. Ndoshta në javët e ardhshme mund të shohim surpriza, pasi diferenca është aq e vogël sa mjaftojnë dy fitore për t’u ngjitur në klasifikim ose e kundërta.





