Egnatia do të presë në “Egnatia Arena” skuadrën e Teutës për të bërë mes tyre llogaritë e javës së 25-të të Superiores. Rrogozhinasit vijnë pas humbjes me Vllazninë në kampionat dhe ndaj durrsakëve do të tentojnë të bëjnë “autokritikën”.

Ndërkhë nga krahu tjetër “djemtë e detit” kanë fituar ndaj Kukësit dhe në Rrogozhinë do të shkojnë me moralin lart për të rrëmbyer një tjetër 3 pikësh, ndaj një kundërshtari që e kanë si “kafshatën” e preferuar.

Teuta është skuadra që rrogozhinasit nuk njohin fitore në dy takimet e këtij sezonit. Madje në 14 duele direkte mes tyre, rrogozhinasit njohin vetëm një fitore, e cila daton më 23 dhjetor 2021. 10 takime kanë përfunduar në favor të Teutës, teksa vetëm 3 prej tyre kanë përfunduar në barazim. Kjo tregon edhe dominimin e durrsakëve ndaj rrogozhinasve, me këto të fundit që do të kërkojnë “hakmarrjen” ndaj “djemve të detit”.