Drejtuesit e Teutës janë të fokusuar prej vitesh tek akademia dhe jo më kot disa prej lojtarëve aktualë në ekipin e parë që po shkëlqejnë kanë dalë nga shkolla durrsake e futbollit.

Së fundmi, klubi ka bërë një ndryshim në stafin e U-19, pasi trajner nuk do të jetë më Xhevahir Kapllani. Në krye të skuadrës së të rinjve është emëruar një emër i njohur që prej vitesh ka qenë pjesë e akademisë së Teutës, pikërisht Ilir Biturku.

Trajneri kavajas vjen pas eksperiencës disa vjeçare me ekipet Kombëtare të Shqipërisë, teksa së fundmi ka drejtuar U-20. Për Biturkun është një rikthim në shtëpi, për më tepër ai ka qenë edhe trajner i ekipit të parë të durrsakëve.

Klubi durrsak po bën një organizim model për akademinë, teksa së fundmi kushtet janë përmirësuar ndjeshëm pas rinovimit të fushave.