Durrës, 28 korrik 2014 – Pasi kanë mbyllur me sukses fazën përgatitore në Austri, rrugës duke u kthyer në Shqipëri Teutës i duhej të kalonte nëpër Mynih, ndaj durrsakët e kanë shfrytëzuar këtë shans për të vizituar tempullin e futbollit gjerman stadiumi Allianz Arena.

Para dy javësh kur ekipi po shkonte drejt Hochflilzen në Austri që është shumë pranë Mynihut, lojtarët e kishin fotografuar nga autobuzi mitikun Allianz Arena. Stafi ka preferuar që kjo vizitë në këtë stadium të realizohej gjatë kthimit me qëllim që fillimisht skuadra të ishte e fokusuar tek faza përgatitore.

Gjatë kthimit kjo dëshirë e lojtarëve bëhet realitet edhe për t’u frymëzuar nga stadiumi i një prej skuadrave më të mëdha në botë sikurse është Bayern Munchen. Madje, lojtarët dhe stafi kanë shijuar edhe nga një birrë Paulaner, me shpresën që dhe Teuta të ketë fatin e Bayern në sezonin e ardhshëm, për të bërë realitet objektivat e skuadrës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/