Teuta zbriti dje në fushë, duke vijuar përgatitjet anti-Tirana. Skuadra e Teutës e ka nisur mirë kampionatin, teksa edhe në këtë sezon pretendon kualifikimin në Europë. Të besuarit e Edi Martinit ia kanë dalë të grumbullojnë 10 pikë në shtatë javë kampionat, vetëm tri pikë më pak se kryesuesit. Fitorja në Laç ka lënë një shije të mirë, por në kampin durrsak janë optimistë dhe premtojnë se do të vijojnë me fitore në përballjen e radhës kundër Tiranës në “Niko Dovana”. Ndeshja me bardheblutë shihet e vështirë në letër, por te Teuta janë të bindur se do t’ia dalin mbanë.
Stafi teknik i ka bërë një analizë të thellë fitores me Laçin, ku janë nxjerrë në pah gabimet e vërejtura. Ata kanë kërkuar që këto të mos përsëriten më, jo vetëm në ndeshjen e radhës, por edhe në të tjerat në vazhdim, pasi ekipi kërkon të gjejë stabilitet në lojë dhe në rezultate. Teuta po vijon me intensitet përgatitjet anti Tirana, ku atmosfera është pozitive pas fitores së fundit. Stërvitja e djeshme filloi me nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik, Mark Dodaj dhe ndihmësi Hodo vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me ushtrime aerobike, teksa më pas lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës zhvilluan edhe një lojë mes tyre.
Trajneri Martini duhet të mendojë edhe për mungesat prej dëmtimeve. Mesfushori Arifi vijon të jetë i dëmtuar dhe është në dyshim për betejën me Tiranën, që gjithashtu kërkon vazhdimësi nga ana e saj, pas fitores kundër Skënderbeut. Një lajm i mirë është ai i rikthimit të Mingos, i cili ka kaluar dëmtimin dhe pritet të luajë kundër Tiranës. Ndërkohë, fatmirësisht infermieria e durrsakëve është thuajse e boshatisur. Numri një i pankinës së “djemve të detit” pritet të mos bëjë surpriza në formacion, duke i besuar të njëjtës skuadër, e cila ka luajtur gjatë këtyre javëve. Në seancën e djeshme stafi teknik kanë testuar nga afër gjendjen fizike të lojtarëve. Ergis Arifi vijon rikuperimin, por shanset mbeten 50-50.