Teuta e Ahmatajs e ka mbyllur me tre miqësore nga katër të tilla që ishin planifikuar fazën përgatitore në Austri.
Durrsakët kanë ardhur në Durrës pas 10 ditësh qëndrimi në Austri. Ndeshja e fundit e planifikuar për t'u luajtur ajo ndërmjet djemve të detit dhe Slavia Pragës është anuluar.
Ndërkaq, durrsakët kanë lënë Austrinë dhe tashmë janë në Durrës ku do të përgatiten për ndeshjen e datës 30 qershor kundër Kairat Almaty ndeshje që do të luhet në “Niko Dovana” në orën 20.00.
Në ditët e qëndrimit në Austri durrsakët zhvilluan tri ndeshje, duke fituar një, dhe humbur dy të tilla, me një golavarazh 4 gola të shënuar dhe 9 të pësuar, ku 7 prej tyre i përkasin ndeshjes me Vienën.
Pas fazës përgatitore në Austri, durrsakët do të stërviten në qytetin e tyre për ndeshjen e Europa League kundër ekipit kazak Kairat Almaty. Trajneri elbasanas dhe ndihmësit e tij do të shfrytëzojnë ditët e mbetura për të përgatitur ekipin por dhe për ndonjë përforcim sa i përket repartit të sulmit ku dhe kërkesa është më e lartë për një sulmues tipik.
Bërthama e ekipit të kaluar është ende dhe kjo ia lehtëson disi punën stafit dhe drejtuesve që nuk kanë se pse të bëjnë ndryshime të mëdha në ekip, duke parë që kjo skuadër dhe pse e re në moshë apo dhe me lojtarë që luanin sezonin e parë me durrsakët u paraqitën mjaft mirë, pra një garanci më shumë për vijimësinë e kësaj skuadre.
Durrsakët shquhen si ekip që “gjuan” lojtarët e rinj me perspektivë dhe u jep atyre mundësinë për të treguar aftësitë e tyre dhe në vitet e fundit shumë rrallë ka dështuar me strategjitë që janë përdorur.





