18 qershor 2015 –Burime pranë klubit të Teutës bëjnë të ditur se drejtuesit janë në kontakte me disa lojtarë cilësorë të Superiores dhe shumë shpejt pritet mbyllja e marrëveshjeve. Pritet që konfirmimet e afrimeve dhe largimeve do të përcaktohen vetëm në fillim të muajit të ardhshëm, pak ditë pasi skuadra të ketë nisur grumbullimin dhe përgatitjet për sezonin e ri.
Ndërkaq, dy mesfushorët e Elbasanit, Ardit Hila dhe Emiljano Musta, janë tashmë lojtarë të skuadrës durrsake. Dy mesfushorët kanë firmosur kontrata 3-vjeçare me Teutën dhe shikohen si garanci për të ardhmen e skuadrës. Lajmi për këtë dy afrime konfirmohet nga vetë kreu i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu.
Mesfushori Emiljano Musta u shpreh i kënaqur që do të jetë pjesë e skuadrës durrsake për tre sezonet në vazhdim.
“Zgjodha Teutën, sepse ambienti është shumë, shumë i mirë për të punuar dhe për t'u rritur si lojtar në karrierën time personale dhe do ta përdor si trampolinë për të hedhur një hap të madh dhe të rëndësishëm. Po kështu kam besimin e presidentit dhe një arsye më shumë që zgjodha këtë skuadër ishte që trajner do jetë Gugash Magani, i cili është një trajner shumë, shumë i mirë”, u shpreh shkurtimisht mesfushori Musta.
Ndërsa, mesfushori Hila u shpreh se Teutën e shikon një skuadër që do ta ndihmojë të shkojë përpara.
“Jam i lumtur që firmosa për skuadrën e Teutës. Ajo është një nga skuadrat më të mira si për të punuar ashtu edhe për të ecur përpara në karrierë, pasi është një ekip që i ndihmon dhe ka besim te lojtarët e rinj. Unë do përpiqem me të gjitha mundësitë për të justifikuar besimin e presidentit”, u shpreh plot optimizëm mesfushori Hila.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/