Teuta “ndez” motorët për sezonin e ri dhe nis fazën përgatitore në Pukë, aty ku është zhvendosur për t’i dhënë dorën e fundit gjithçkaje ka projektuar trajneri Edi Martini në prag të startit të kampionatit më 18 gusht. Pasditen e djeshme durrsakët kanë kryer stërvitjen e parë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Gjatë kësaj periudhe ekipi do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, ku Edi Martini do të ketë mundësinë të shikojë gjendjen e të gjithë futbollistëve.
Gjithashtu gjatë qëndrimit 2 javor në Pukë nuk përjashtohen as afrimet e mundshme, teksa klubi dëshiron të “kopsitë” të gjitha repartet në mënyrë, që ekipi të jetë gati për fillimin e sezonit. Dje ekipi nisi grumbullimin në hotelin në qendër të Pukës në orën 12:30 dhe të gjithë lojtarët, me programin e bërë nga Martini, janë të detyruar të mbajnë një regjim të hekurt.
Klima e mirë me temperatura shumë më të ulëta se në Durrës, i krijon kushte të favorshme pune skuadrës në këtë periudhë të nxehtë. Në seancën e djeshme, fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgattësit atletik dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top. Aspekti tekniko-taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprimet ofensive dhe defensive, kanë qenë në fokusin e Martinit në ditën e parë. Kujtojmë që deri më tani Teuta ka afruar lojtarë si Antonio Marku, Ardit Peposhi, Emiljano Vila, Renaldo Torraj, Endri Reçi dhe Geri Selita. Nga sezoni i kaluar janë larguar Harrallamb Qaqi, Rodrigo Faust, Realdo Fili, Davide Gjinollari dhe Klejdi Daci, me këtë të fundit që u shit në Uzbekistan.