Teuta tanimë është vendosur në "Maraya Hotel Bansko" në Bullgari, ku do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve. Ekipi kreu një udhëtim që zgjati afro 13 orë me autobus dhe në orët e vona u vendos në hotel ku do të qëndrojë dy javë, ndërsa prej ditës së djeshme ka nisur realizimi i programit stërvitor.

Skuadra ka lënë Durrësin me temperatura të larta dhe në Basko të Bullgarisë ka gjetur kushte atmosferike më të përshtatshme. Që në vendosje është parë qartë se skuadra do të ketë kushte ideale për stërvitje, e akomoduar në një hotel luksoz.

Ekipi ka realizuar të mërkurën seancën e parë stërvitore, fillimisht në palestër, ndërsa pasdite stërvitje në terren. Në fundjavë pritet të fillojë edhe seria e ndeshjeve miqësore. Ndërsa trajneri dhe stafi i tij do të punojnë për përgatitjen e futbollistëve, drejtuesit janë në lëvizje për të kompletuar nevojat e skuadrës në role specifike.