Durrës, 12 korrik 2014 – Teuta ka filluar fazën përgatitore në Austri ku durrsakët kanë zbritur në fushë dhe kanë zhvilluar paraditen e së shtunës seancën e parë stërvitore. Djemtë e detit do të qëndrojnë në Austri për rreth 10 ditë për të zhvilluar një pjesë të fazës përgatitore. I gjithë grupi është akomoduar në mjediset e “Fairhotel” në Hoshfilzen, pjesë e qytetit të Tirol, distrikti i Kitzbuhel. Grupi që prej datës 30 qershor ka vijuar çdo ditë stërvitjen në Durrës, duke fituar kështu një formë fizike të kënaqshme. Gjendja e lojtarëve si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë shëndetësor është e mirë. Nuk ka asnjë lojtar me dëmtime apo shqetësime, përveç mesfushorit Arbër Çyrbja, i cili nuk do të jetë pjesë e grupit përgjatë kësaj periudhe dhe do të vijojë programin e rikuperimit në Frankfurt të Gjermanisë. Pjesë e ekipit janë edhe të gjithë lojtarët e konfirmuar nga drejtuesit e klubit si përforcime deri më tani. Kështu, në Austri ndodhen: Prençi, Kotobelli, Hyseni, Dita, Magani, Pepa, Ulluri, Shabani dhe Migen Memelli. Ashtu siç është deklaruar edhe më herët, skuadra do të ketë një program të ngjeshur, në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht ditët e qëndrimit në Austri. Përveç stërvitjes, “djemtë e detit” do të zhvillojnë edhe katër miqësore me skuadra të njohura. Siparin e tyre do ta hapë përballja me rumunët e Botosanit, më datë 13 korrik, ora 17:00 në Majrhofen. Pas dy ditëve durrsakët do të përballen me gjermanët e Braunshvajgun, në orën 11:00 të paradites. Më pas në datën 16 ora 15:00 do të vijë përballja me rusët e Lokomotivës së Moskës. Serinë e miqësoreve do ta mbyllë sfida ndaj uellsianëve të Kardifit në datën 19 ora 19:00. Gjatë kohës së qëndrimit në Austri ekipit mund ti bashkohen edhe lojtarë të tjerë që do të provohen nga stafi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





