Sebino Plaku ka shkëputur marrëdhënie me ekipin e Partizanit dhe tashmë është një lojtar i lirë. Sulmuesi tiranas mund t’a vazhdojë ku të dëshirojë karrierën e tij për pjesën e mbetur të sezonit dhe jo vetëm. Tani që Plaku ka ndërprerë kontratën me të kuqtë, të shumta kanë qenë ekipet që kanë shfaqur interes për të. Së fundmi sulmuesi dhe ekipi i Teutës kanë lëshuar sinjale “dashurie” mes tyre. Durrsakët janë një alternativë mëse e mundshme dhe potenciale për një sulmues si Sebino.

Serioziteti që ka klubi i Teutës por edhe ambienti i qetë që është në kampin e “Djemve te Detit”, mund ta shtyjnë lojtarin të transferohet në Durrës. Gjithashtu edhe njohja mjaft e mirë që lojtari dhe trajneri Magani kanë me njëri-tjetrin janë një faktor i fortë që mund të sjellin këtë lëvizje. Duke parë edhe objektivat që Teuta ka këtë sezon, çdo gjë mund të ndodhë. Për të mësuar më shumë duhet të presim ditët në vijim të merkatos së janarit.