Teuta ka fituar me meritë në miqësoren e tretë që durrsakët kanë zhvilluar gjatë qëndrimit të tyre në Austri. Teuta ka mundur ekipin e fortë rumun Universitatea Craiova me rezultatin 2-1 në një ndeshje të fortë e me emocione pavarësisht se ishte vetëm një miqësore.

Në këtë ndeshje, trajneri Ahmataj ka hedhur në fushë thuajse gjithë ekipin për të parë gjendjen e lojtarëve. Ndryshe nga dy miqësoret e mëparshme, Teuta ka treguar rritje të ndjeshme në lojën e saj duke u shfaqur një ekip agresiv dhe ka shënuar edhe gola ndërsa mbrojtja ka qenë në lartësinë e duhur dhe e sigurt duke thyer sulmet e ekipit rumun që nuk kanë qenë të pakta.

Teuta e ka filluar vrullshëm ndeshjen dhe që në pjesën e parë durrsakët janë shfaqur të rrezikshëm dhe kanë shënuar dy gola. Në minutën e 21-të pas një aksioni të rrezikshëm një nga mbrojtësit rumunë në tentativë për të larguar topin ka shënuar një autogol duke kaluar Teutën në avantazh dhe në të 38-n golin e dytë për Teutën e ka shënuar Musta dhe më pas kanë kontrolluar totalisht ndeshjen.

Edhe pjesa e dytë ka qenë nën kontrollin e durrsakëve që kanë qarkulluar topin dhe kanë pasur edhe raste shënimi. Rumunët nga ana e tyre kanë rritur agresivitetin në këtë pjesë dhe kanë arritur të shënojnë golin e vetëm të tyre në minutën e 86-të. Minutat në vazhdim nuk kanë sjellë asgjë në këtë takim ku durrsakët kanë fituar me meritë. Në pjesën e dytë, të dyja ekipet thuajse i kanë zëvendësuar të gjithë lojtarët dhe kjo ka qenë një mënyrë për trajnerin Ahmataj për të provuar lojtarët ku sërish është provuar kosovari Ismaili apo serbi Cmajcanin.

Ndërkohë që janë provuar edhe lojtarët e stolit që me grintën që kanë shfaqur kërkojnë tashmë minutat e tyre edhe në ndeshje zyrtare. Ndryshe nga miqësoret e para, kjo miqësore ka treguar një Teutë ndryshe dhe një ekip në formë ku edhe me pak punë do të jetë i gatshëm të përballet me kazakët e Kairat Almaty në kupat e Evropës.