DURRËS, 2 nëntor 2014– Teuta fiton edhe në Shkodër dhe tashmë duket se durrsakët i kanë dhënë fund një momenti të vështirë që zgjaste prej javësh. Teuta fiton 2-1 në Loro Borici në një ndeshje ku Teuta tregoi muskujt që në minutat e para duke rrezikuar që në të 9-ën me mesfushorin Ansi Nika, i cili u tregua i pasaktë në goditje përballë portierit Selimaj. Shkodranët mbetën me 10 lojtarë në minutën e 24 pasi Antonio Marku mori kartonin e dytë të verdhë pas ndërhyrjes ndaj Nikës. Pak sekonda më vonë, Deliallisi goditi me kokë pas një krosimi nga e djathta e sulmit, duke realizuar golin që zhbllokoi sfidën, ndërsa braziliani Mangalaes dha sinjalet e golit 1 minutë më pas duke goditur traversën. Në minutën e 32-të erdhi edhe goli i dytë pasi Hoxhallari këmbenguli me një aksion personal, dhe Rafael Magalaes përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes vendase, duke sigluar rrjetën e dytë për “Djemtë e Detit”. Teuta ishte pranë golit të tretë në minutën e 42-të kur Selimaj i mohoi golin e dytë brazilianit Rafael. Edhe pse nuk e kërcënoi asnjëherë portën e durrsakëve në pjesën e parë, menjëherë pas fillimit të fraksionit të dytë, shkodranët fituan më shumë moral pas një aksioni që pa të lirë Sozën në qëndër të mbrojtjes mike për të shënuar golin që ngushtoi rezultatin në 2-1. Vllaznia rrezikoi sërish me Shtubinën në minutën e 56 por Rizvani doli në kohë duke bllokuar një aksion të rrezikshëm. Forcat në fushë u balancuan me daljen e Ansi Nikës me karton të kuq në minutën e 70-të. Në minutën e 88-të, Pepa u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke e lënë Teutën me 9 futbollistë, por koha e mbetur nuk mjaftoi që Vllaznia të shfaqej agresive për të ndryshuar fatin e ndeshjes, madje ishte Gocaj ai që la vendasit me 9 lojtarë në minutën e tretë shtesë. Pas kësaj fitoreje Teuta e Hasan Likës konsolidohet më shumë në klasifikim me 13 pikë të grumbulluara në 11 javët e para.





