Durrës, 26 prill 2014 – Teuta fiton 2-1 ndaj Skënderbeut kryesues në ndeshjen e javës së 30-të. Sulmuesi Samb dhe mbrojtësi Jakupi kanë shënuar në pjesën e dytë të kësaj sfide, duke shtuar tri pikë tepër të çmuara në llogarinë e durrsakëve. Goli i Pejicit në fund të kohës së rregullt ka treguar se korçarët nuk kanë dalë krejt “duarbosh” nga “Niko Dovana”, sepse kanë konsoliduar pozitat e sulmuesit kroat në krye të listës së shënuesve më të mirë, me objektiv fitimin e “Këpucës së Artë”. Me 45 pikë, “djemtë e detit” barazohen me kurbinasit, duke vijuar me ta betejën e vërtetë për zonën europiane në javët e mbetura.

Pas një pjesë të bardhë me gola, fraksioni i dytë i ndeshjes ka nisur me gol teksa Samb nuk ka gabuar një aksion të rrjedhshëm të Teutës. Në 86’ do të jetë mbrojtësi Jakupi që me një ndërhyrje të saktë me kokë vulos fitoren e “djemve të detit”. Miqtë nga Korça shënojnë në minutën e fundit një gol me anë të sulmuesit Pejic që vlen vetëm për statistikë. Përfundimisht Teuta merr tre pikë dhe vazhdon të shpresojë për të qenë pjesë në kupat e Europës. Vlen për t’u theksuar se këtë sezon skuadra kryesuese e Skënderbeut, nuk ka arritur të jetë fituese në asnjë sfidë përballë durrsakëve. Skënderbeu mbetet në kuotën e 57 pikëve, por pa u shqetësuar në lidhje me titullin, sepse ndjekësit më të afërt, kuksianët, nuk ia kanë dalë të fitojnë në fushën e tyre.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/