Teuta fiton minimalisht ndaj Pogradecit. Ndeshja e luajtur në “Gjorgji Kyçyku” është mbyllur me shifrat e ngushta 0-1. Djemtë e Begejës ia ka dalë falë golit të shënuar nga Rustem Hoxha. Skuadrat nisin ndeshjen me formacionet e tyre më të mira. Pogradeci i drejtuar nga Fetollari bëri një lojë të mirë, megjithatë humbjen nuk e shmangën dot. Te liqenorët u provua edhe një nigerian. Teuta mori shpejt iniciativën, duke kërkuar golin e avantazhit. Sulmuesi Magani tenton disa herë, por që nuk arrin të zhbllokojë rezultatin në minutat e para. Megjithatë goli erdhi nga një mbrojtës, pikërisht Rustem Hoxha. Goditje këndi për miqtë, topi shkon në zonë dhe mbrojtësi nuk e ka të vështirë që me kokë të dërgojë topin në rrjetë. Nuk ka kaluar gjysma e pjesës së parë dhe skuadrat tentojnë përsëri te goli, por ky fraksion mbyllet me të njëjtin rezultat. Me fillimin e pjesës së dytë, trajnerët bëjnë disa ndryshime në formacionet e tyre, Begeja i jep më shumë freski ekipit me Raboshtën dhe Lamçen. Të njëjtën gjë bën edhe trajneri i Pogradecit, i cili tenton me të sapofuturit të gjejë golin e barazimit. Ndërsa minutat kalojnë, e vetmja gjë që ndryshon vazhdimisht është organika, pasi që të dy trajnerët i japin mundësi atyre që kishin në dispozicion. Në këto kushte nuk ka më skema, por minuta për secilin lojtar që aktivizohet. Edhe pse ekipet kanë lojtarë të freskët në fushë dhe tentojnë disa herë rrjetat, goli i shënuar nga Hoxha nuk shfuqizohet deri në përfundimin e takimit. Kjo është fitorja e parë e Teutës, pas tri barazimeve ndaj Flamurtarit, Dritës dhe Erzenit.