Teuta zhvilloi miqësoren e dytë në Pukë, ku përballë durrsakëve këtë herë ishte ekipi i Otrant nga Mali i Zi. Ndeshja përfundoi me fitoren e skuadrës së trajnerit Martini, me rezultatin 2-1, ku golat u shënuan nga Torraj dhe Beqja me penallti. U aktivizuan thuajse të gjithë futbollistët në miqësoren e dytë, pas asaj kundër Vllaznisë U-21 disa ditë më parë, ku Teuta humbi 2-3. Pjesa e parë u dominua nga Teuta, që në minutën e 10-të pati rastin e parë me Bocin, i cili goditi nga jashtë zonës.
Për Teutën rrezikon edhe Lloci, që nuk ka shënjestrën e duhur. Pastaj është radha e Beqjas të godasë fuqishëm, duke tronditur shtyllën. Edhe Otrant ka rastet e veta në këtë ndeshje, por Vata është i vëmendshëm. Teuta godet shtyllën edhe në fundin e pjesës së parë me E.Peposhin, gjuajtja e të cilit u devijua nga portieri e më pas shtylla. Rezultati u zhbllokua sapo nisi pjesa e dytë, kur Arifi krosoi në zonë dhe Torraj gjuajti saktë.
Dema bëri një pritje të bukur pas një goditjeje nga jashtë zonës. Arifi tundi rrjetën, por kishte pozicion jashtë loje të futbollistit të Teutës. Otrant arriti të barazojë shifrat në minutën e 75-të me një sulmtë shpejtë. Pas një rasti të humbur nga E.Vila, Demirçanifitoi një penallti dhe nga pika e bardhë shënoi Beqja për 2-1. Teuta merr kështu fitoren e parë në miqësore dhe të martën do të luajë testin e tretë kundër Burrelit të Kategorisë së parë.