Goli i Emilian Mustës në pjesën e dytë i dha fitoren Teutës në sfidën e shtëpisë ndaj Bylisit si dhe vendin e tretë në renditje, pasi “Djemtë e Detit parakaluan Tiranën, që dështoi të merrte pikë në derbi me Partizanin. Një rezultat i pritshëm në “Niko Dovana”, por duhet pranuar që formacioni i Gugash Maganit vuajti shumë për të shkuar deri te goli.

Teuta u shfaq dominuese në lojë, por e kishte të vështirë në përmbylljen e aksioneve si në rastin e minutës së 17-të, kur Emilian Musta, pasi depërtoi në zonë nga e majta, nuk gjeti shokët e tij. I gjendur në vështirësi në organizimin e lojës, Bylisi u mbyll në zonën e tij, por edhe në të 32-tën Jonathan u vonua në finalizim, duke u dhënë mundësi mbrojtësve miq të largonin rrezikun.

Rasti më i pastër për “Djemtë e Detit” në pjesën e parë i përket minutës së 40-të kur Emiliano Musta, shumë pranë portës, nuk e shënjestroi si duhet katërkëndëshin. 3 minuta më pas devijimi i Jonathan pas finalizimit të Kadriut shkoi në fundore, ndërsa momenti më i diskutueshëm i përket minutës së 44-t, kur Hyshmeri në tentativë për të përfituar nga një gabim i mbrojtjes vendase u pengua nga Mocka, por për kryesorin Hamiti ishte thjesht një goditje këndi. Duhet të kalonin 11 minuta nga starti i pjesës së dytë që Teuta t’i afrohej sërish golit me Jonhatan, të cilit në momentin e fundit i ndërhyri saktësisht Frashëri. Me fat portieri i ballshiotëve 2 minuta më pas në zhvillimet e një goditjeje dënimi.

Në të 70-n një përplasje mes Frashërit dhe Mustës e detyroi kryesorin Hamiti të kërkonte ndihmën e stafeve mjekësore. Portierit korcar pati nevojë për disa minuta për të rimarrë veten. Pas shumë përpjekjesh të dështuara Teuta më në fund e zhbllokoi rezultatin në minutën e 75-të me Emilian Mustën, i cili devijoi drejt rrjetës një krosim të Lukic. Në të 84′ një rast thuajse identik për pak u shndërrua në gol nga Teuta, por në këtë rast Frashëri reagoi në pozicion. Në minutat e mbetura Bylisi nuk pati forca për të ndryshuar fatin e ndeshjes, megjithatë mund të ngushëllohet nga fakti që humbi edhe Vllaznia.