TEUTA-PARTIZANI 3-1
Golat: Batha 30′, Nika 46′, Dosti 80′/ Memelli 53′
Gjyqtarë: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova
Durrës, 13 prill 2014 – Teuta fiton ndaj “demave të kuq” me rezultatin 3-1 dhe parakalon në klasifikim kurbinasit. Pra, “djemtë e detit” janë në vendin e katërt, me 42 pikë, pas javës së 28-të të Superiores. Kësisoji, ata rifuten në vallen e zonës europiane përmes kampionatit, ndërsa “lanë duart” me këtë synim përmes Kupës në mesjavë, kur u eliminuan në gjysmëfinale nga Kukësi.
Partizani thyhet më së fundi. Pas nëntë ndeshjesh pa humbje nën drejtimin e portugezit Sampaio, të kuqtë bien në Durrës. Njëherazi, ata mbeten në vend-numëro në klasifikim, në vendin e tretë me 44 pikë, por ndiejnë dihatjen e bregdetarëve të Ilir Biturkut tashmë, me dy pikë më pak, veç kurbinasve, që janë tri pikë larg tyre.
Batha, Nika dhe Dosti kanë mposhtur tre herë portierin Alban Hoxha, duke i dhënë suksesin skuadrës durrsake, e cila po kalonte një situatë jo të mirë, si rezultat i zhgënjimeve të javëve të fundit. Teuta e ka kërkuar me ngulm fitoren që në startin e ndeshjes, duke e detyruar kundërshtarin të mblidhej me forca të shumta në prapavijë. Gjithsesi, pavarësisht tendosjes maksimale të të kuqve në detyrat mbrojtëse, goditja e kalibruar e Bathës në minutën e 30-të do të përfundonte në trekëndëshin e rrjetës së Hoxhës.
Me këtë rezultat, 1-0, mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis me një tjetër gol të vendësve. Shkodrani Ansi Nika e konkretizon në gol krosimin e Samb, duke u dhënë më tepër siguri të tijve për pjesën e mbetur të sfidës. Por nuk dorëzohen kollaj “demat”. Numri 9 i tyre, Memelli, do të rihapte gjithçka në minutën e 53-të, kur ngushton rezultatin 2-1.
Përpjekjet e miqve për të dalë me të paktën një barazim nga Durrësi nuk kanë munguar, por kanë qenë të paqarta dhe me mungesë finalizmi. Të kuqtë mund të ishin ndëshkuar sërish nga vendësit, sepse krijojnë hapësira në prapavijë, duke u dhënë mundësinë “djemve të detit” për ta ndëshkuar Hoxhën. Kështu vepron Dosti dhjetë minuta para mbarimit të kohës së rregullt, kur lëshon një goditje spektakolare nga distanca dhe trefishon rezultatin. Këtu merr fund gjithcka, pasi nuk ka më kohë për të pretenduar dicka më shumë nga kryeqytetasit. Përvec kësaj, Partizani nuk ka forca për të reaguar ndërsa Teuta arrin një fitore të rëndësishme që i rifut durrsakët në vallen e Evropës përmes kampionatit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





