DURRES– Teuta ka fituar pastër ndaj Shkumbinit. Në një 90 minutësh plot emocione, durrsakët arritën të fitonin 3 me 0, ndërsa tashmë e shikojnë veten vetëm 7 pikë larg Skënderbeut të vendit të parë. Teuta u prezantua si një skuadër mjaft e kompletuar, ndërsa zhvilloi një takim perfekt nga ana taktike. Magani kishte ndërtuar një skuadër mjaft kompakte, e cila nuk zhgënjeu. Fillimisht durrsakët zhbllokuan me sulmuesin e tyre kryesor Daniel Xhafaj në minutën e 15 të ndeshjes, ndërsa dyfishuan me Osmanin në të 56-ën dhe vulosën 8 minuta para përfundimit po me vlonjatin.
Ndërsa skuadra mike e drejtuar nga tekniku beratas Kristaq Mile, nuk doli dot për asnjë moment në lojën e saj dhe u detyrua t’i nënshtrohej për gjatë gjithë kohës kundërshtarit. Skuadrat e nisën vrrullshëm takimin, ku peqinasit me Milen dhe vendasit me Xhafaj përshëndetën portierët respektiv me nga një gjuajtje, që në minutat e para të ndeshjes.
Teuta ishte vendosur mjaft mirë në fushë dhe e kontrollonte mirë kundërshtarin. Në minutën e 15 vendasit arrijnë të shënojnë golin e parë me anë të sulmuesit kryesor të tyre Xhafaj. Vlonjati shfrytëzon më së miri një kros preçiz nga patrioti i tij Sakaj dhe me një goditje me kokë e dërgon topin në rrjetë.
Pjesa e dytë
Teuta e nisi atje ku e kishte mbyllur. Sapo ka nisur pjesa e dytë e takimit durrsakët janë derdhur mbi portën mike, ku kërkonin me ngulm golin e dytë. Magani i qëndron të njëjtit rreshtim si dhe në pjesën e parë, ku mbrojtësi i Teutës dhe kombëtares, Tefik Osmani u aktivizua në mesfushë, ndërsa zhvilloi një ndeshje perfekte, të cilën e finalizoi edhe me gol.
Në minutën e ‘56 Osmani fiton një top në mesfushë dhe pas kombinimi me një prej shokëve të tij shënon golin e dytë për Teutën. Vendasit krijuan një sërë rastesh të tjera, ndërsa vulosën 8 minuta para përfundimit me goleadorin e tyre Daniel Xhafaj.