Teuta nuk e lëshon kreun e klasifikimit. Durrsakët mposhtën ekipin e Kastriotit në transfertë, me rezultatin e ngushtë 1-2, me gola të Vilës dhe Bregut. “Djemtë e detit”, veç fitores së tyre, kanë gëzuar edhe për ndalimin e Laçit, që ngeci me Skënderbeun në shtëpi. Një duel që u mbyll 0-0, shumë i luftuar dhe me raste plot, por që nuk pati fitues.
Teuta kryesuese arriti ta zhbllokonte ndeshjen në fundin e pjesës së parë, kur Lorenco Vila bëri një lëvizje të bukur dhe me një gjuajtje të fortë e mposhti portierin Hidi. Me fillimin e pjesës së dytë, Dejvi Bregu ishte ai që ndëshkoi krutanët, të cilët u kundërpërgjigjën me një gol të bukur të Emir Rezit. Gjithsesi Kastrioti nuk ia doli dot ta shmangte humbjen.
Bylisi e kishte jetike ndeshjen me Vllazninë dhe ishte në sulm gjithë kohën. Gjithsesi shkodranët e kishin të qartë çfarë duhet të bëheshin dhe pas një goditjeje këndi Albion Avdijaj shënoi me kokë në portën e ballshiotëve, duke i dhënë tre pikët kuqebluve pas humbjes me Kukësin. Fitore e artë e shkodranëve, me rezultatin e ngushtë 0-1.
Apolonia matematikisht ka rënë në Kategorinë e Parë, pasi u mposht ditën e sotme në shtëpi nga Kukësi me rezultatin 0-3. Verilidorët e zgjidhën ndeshjen shpejt, duke shënuar me kapitenin Ibraimi fillimisht, ndërsa më pas Dragoshi dhe Taipi i mbyllën llogaritë në fraksionin e dytë të lojës.





