Teuta do të luajë në transfertë ndeshjen e javës së 13-të. Në Korçë përballë Skënderbeut, me durrsakët që kërkojnë rikthimin te fitorja për t’iu larguar zonës së ftohtë të klasifikimit. Kjo përballje është parashikuar të luhet ditën e premte duke nisur që nga ora 17:00.

Edi Martini ka pasur fatin të shikojë me imtësi gjendjen e çdo lojtari, teksa në favor të tij ka qenë edhe pushimi për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. “Timonieri” shkodran do të vuajë mungesën e tre lojtarëve. Alla, Fili dhe Arifi do të jenë mungesat e vetme për duelin me bardhekuqtë. Arifi ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe do të jetë i pezulluar, ndërkohë që Alla dhe Fili vijojnë fazën e rikuperimit. Pjesa tjetër e lojtarëve është e gjitha në gatishmëri të Martinit.

Lojtarët e Teutës kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës. Kjo është një sfidë që për durrsakët vlen shumë, aq më tepër që luajnë me një ekip që lufton për mbijetesë dhe fitorja është detyrim. Blutë e drejtuar nga Edi Martini kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”.

Atmosfera është e kënaqshme dhe kundër bardhekuqve synohen tri pikët me qëllimin për t’u larguar nga fundi i klasifikimit. Në prolog të stërvitjes, trajneri Martini u foli futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke u kujtuar se nëkëtë moment rëndësi kanë vetëm pikët. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë.

Teuta ka vijuar procesin përgatitor në prag të sfidës me korçarët që do të luajnë ditën e premte. Në Durrës janë të bindur sekëtë javë do t’ia dalin me fitore, ndaj edhe do të synojnë që të sigurojnë tri pikët në sfidën me blutë. Tashmë, trajneri Edi Martini pret që të ketë të gjithë grupin gati në sfidën e radhës. Skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Martini e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari në skuadër dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit që ata janë të duhurit për 11-shen e parë.

Tashmë synohet fitorja dhe aq më tepër që përballë kanë një ekip si Skënderbeu dhe Martini bashkë me të besuarit e tij do të hyjnë në fushë për të marrë fitoren. E vështirë, por jo e pamundur, gjithsesi, në Durrës janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës. Pretendimet në Durrës janë që të dalin sa më shpejt nga zona e ftohtë dhe për t’u arritur në kampionat vlen vazhdimësia, pikët mbeten njësoj ndaj çdo kundërshtari.