Një duel mbijetese. Një sfidë direkte për t'u qetësuar përkohësisht nga rreziku i rënies nga kategoria. Këtë të diel në Niko Dovana të Durrësit, Teuta pret Flamurtarin në një ndeshje që vlen shumë për qëndrimin e dy skuadrave në elitë. Teuta kërkon më tepër se asnjëherë tjetër fitoren. Pas iluzionit se mund të luante shanset e saj edhe për vendin e katërt në renditje dhe të shpresonte te një biletë në kupat e Europës, skuadra e Maganit u kthye në realitet nga disfatat përballë dy pretendentëve për titull, Kukësit dhe Partizanit.

Tre pikët do të shërbejnë si oksigjen për Teutën, jo vetëm për të ruajtur distancën e sigurisë nga zona e rënies nga kategoria, por edhe si mënyra më e mirë për të pritur me qetësi kalendarin deri në fund të sezonit, ku më pas e presin sfidat me Korabin, Skënderbeun, Luftëtarin dhe Vllazninë. Të gjitha ndeshje ku durrsakët synojnë të marrin pikë, për të mos e lënë pezull çështjen e mbijetesës deri në ndeshjen e fundit të sezonit, ku e pret trasferta në Laç.

Megjithatë, Flamurtari është rivali më pak komod për t'u përballur në këtë periudhë. Me tre fitore në katër javët e fundit, nga një skuadër me shpresa minimale për të qëndruar në Kategorinë Superiore, vlonjatët janë rikthyer të frikshëm. Fitoret e fundit përballë Luftëtarit dhe Vllaznisë konfirmuan se nëse nuk do të ekzistonin problemet financiare të klubit dhe heqja e 6 pikëve, kuqezinjtë do të ishin favoritët për vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar. Flamurtari është një skuadër plot kualitet dhe emra të rëndësishëm, por në një tjetër edicion për tu harruar, trasferta në Durrës është një prej gjashtë finaleve të mbetura të sezonit. Një ndeshje nga ato ku futbollistët duhet të tregojnë se sa vlejnë. Në të kundërt, mbijetesa do të mbetej një mision tejet i vështirë.