Hugo De Marki është futbollisti i radhës që bashkohet me “djemtë e detit” në merkaton e janarit. 30-vjeçari nuk ka nënshkruar akoma me bregdetarët, pasi stafi teknik fillimisht kërkon ta shohë lojtarin në fushën e blertë.

Mesfushori brazilian në pjesën e parë të sezonit është aktivizuar në Serinë D grupi G me ekipin e Aprilias duke grumbulluar 7 ndeshje si titullar. 30-vjeçari luan si mesfushor qendre, por mund të luajë edhe në krah, madje është aktivizuar edhe si mbrojtës.

Marki zhvilloi stërvitjen e parë me “djemtë e detit” duke lënë një përshtypje pozitive për stafin teknik, që duket shumë i zhgënjyer pas barazimit me Lushnjën. Megjithatë, në vijim do të shihet edhe më në detaje forma e tij dhe trajneri Nica do të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit.

Nica dhe Biturku zhvilluan një analizë për një orë e gjysmë duke i kërkuar llogari ekipit për performancën kundër lushnjarëve. Barazimi nuk u përjetua aspak mirë nga stafi teknik që shpërtheu në analizë duke kritikuar lojtarët.

"Nuk ju vjen zor, çfarë ishte ajo performancë që zhvilluat? A keni sedër ju? Nuk e kuptoj pse jeni kaq dobët në fushë.Në stërvitje paraqiteni mirë, por aty ku duhet të tregoni veten, dështoni. Më vjen turp për atë që treguat në fushë. Po juve a ju vjen turp?", mësohet se u ka thënë trajneri Nica lojtarëve në analizë.

Zhgënjimi ishte i madh dhe 63-vjeçari i pyeti me radhë lojtarët se çfarë opinioni kishin për paraqitjen, edhe duke i provokuar. Pas rreth 90 minutash analizë, futbollistët dolën në fushë për të filluar me përgatitjet për ndeshjen e radhës në Kupën e Shqipërisë kundër Skënderbeut. 

Kupa është një objektiv për bardhekuqtë, por duket se nuk e kanë “stofin” për të qenë dinjitozë dhe kompetitivë në këtë takim, pasi përballë kanë Skënderbeun.