Tek Teuta nuk po pushojnë. Në Durrës kanë gjetur një zgjidhje perfekte për të vijuar përgatitjet fizike, duke ndjekur me përpikmëri edhe rregullat e vendosura nga qeveria në këtë kohë pandemie. Gjysmën e lojtarëve i sheh çdo ditë teksa stërviten sipas një plani që ka përcaktuar trajneri Edi Martini, me përjashtim të fundjavës që pushojnë.
Nën mbikëqyrjen e përgatitësit atletik, Eduard Salillari, si dhe zv.trajnerit Bledar Hodo, ata zbresin grupe-grupe në stadiumin “Niko Dovana”, duke zbatuar kështu masat shtrënguese për mbrojtjen nga Koronavirusi. Të njëjtën metodë kanë ndjekur edhe klube të huaja këtë periudhë, me lojtarët që mbajnë një distancë prej dy metrash nga njëri-tjetri.
Mbrojtësit Arapi dhe Hoxha, për të vazhduar me emra si Kallaku, Çyrbja, Beqja, Kapllani, L.Vila dhe E.Vila, si dhe lojtarë të rinj që janë pjesë e skuadrës së parë, çdo ditë marrin ngarkesën e duhur për të mos humbur formën. I veçuar stërvitet në plazhin e Durrësit çdo ditë edhe sulmuesi Kolubali, i cili është nga të vetmit e huaj që kanë mbetur në qytetin bregdetar pas pezullimit të kampionatit.
Ndërkohë, lojtarët e tjerë janë pranë familjeve të tyre, duke punuar me një program enkas të dhënë nga stafi që më 13 mars. Bëhet fjalë për maqedonasin Todorovski, boshnjakun Hreljiç, shkodranët Hebaj e Kalaja, si dhe fieraku Aleksi.





